Kukësi ndaj Skënderbeut treni i fundit për kreun

Futboll

Kukësi ndaj Skënderbeut treni i fundit për kreun

Më: 29 nëntor 2017 Në ora: 12:59
Lojtarët e Kukësit

Futbolli ka një ritëm të jashtëzakonshëm edhe atëhere kur t’i luan keq apo vrapon duke çaluar, gjithçka mund të përmbyset si me magji, nga ferri mund të kalosh shumë shpejt në parajsë dhe anasjelltas. Ky krahasim këto momente i shkon për shtat Kukësit, ekipit kampion që këtë edicion nuk ka treguar stabilitet. Megjithatë në derë është mundësia e artë për të lënë pas çdo gjë dhe për të rinisur rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit. Fundjava rezervon duelin e vendit të parë me ndjekësin, ose më saktë kryesuesi ndaj kampiones në fuqi. Me pjesëmarjen në Europë u mendua që Skënderbeu mund të lëshonte disi në kampionat por në përballjen direkte korçarët shkojnë me diferencë 6 pikë dhe shumë të relaksuar.

Në favor të tyre është fakti që këtë edicion nuk njohin humbje, kanë sulmin dhe mbrojtjen më të mirë si dhe imponimin në lojë ndaj kundërshtarëve. Për më tepër janë dhe më mirë në aspketin psikologjik, jo vetëm nga entuziazmi që jep pjesëmarja në Europë por edhe dominimi që i bën kukësit në sfidën e fazës së parë në Zeqir Ymeri. Në favorin e kampionëve në këto çaste është qetësia që jep presidenca karshi stafit dhe futbollistëve, diçka që ndodh rrallë tek Kukësi. Gjithashtu edhe rikthimi në formën optimale të disa prej futbollistëve kryesorë në ekip, por edhe fakti që në Korçë shkojnë me bindjen se nuk kanë asgjë për të humbur, duke qënë se diferenca është e konsiderueshme.

Ky 90 minutësh shihet si treni i fundit për Kukësin që të mbrojtë titullin, në Korçë është e ndaluar humbja, barazimi i mban në rolin e sfiduesit ndërsa fitorja i hap rrugën “remuntadës” së mundshme. Vetëm në këtë mënyrë verilindorët mund të kalojnë nga terri në agim dhe të rikthejnë buzëqeshjen në një ambient që sezonin e ka nisur i trazuar dhe me ndryshime rrënjësore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat