Çfarë përmbysje! Barcelona nuk njeh pengesa…

Futboll

Çfarë përmbysje! Barcelona nuk njeh pengesa…

Më: 14 janar 2018 Në ora: 22:34
Pamje nga ndeshja Barcelona - Real Sociedad

Barcelona ka fituar 4-2 në “Anoeta” ndaj Real Sociedad, një ndeshje që po humbiste 2-0 deri në minutën e 38-t, duke u konfirmuar si skuadra për t’u mundur në këtë edicion të La Liga. Willian Jose dhe Juanmi shënuan për Sociedad, që pati fillimin e ëndërruar, por pikërisht në këtë moment u zgjuan katalanasit kryesues të kampionatit spanjoll.

Paulinho ngushtoi diferencën pesë minuta para fundit të pjesës së parë, në të vetmen goditje në portë, që bëri skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde në 45 minutat e para. Në pjesën e dytë erdhi përmbysja e firmosur nga Luis Suarez. Qendërsulmuesi nga Ururguaji shënoi dy herë, duke u ngjitur në kuotën e 13 golave. Kjo ishte hera e parë në këtë sezon që Suarez jep asist dhe shënon gol brenda një ndeshjeje.

Lionel Messi, golashënuesi më i mirë i La Liga me 17 gola, realizoi golin e katërt, pesë minuta para fundit, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte një goditje dënimi. Në këtë mënyrë, Barça mbetet e vetmja skuadër që nuk e ka provuar shijen e humbjes në këtë sezon. Katalanasit kryesojnë me nëntë pikë avantazh ndaj Atletico Madrid të vendit të dytë dhe janë +19 pikë nga Real, kampion i Spanjës në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat