Nedved: Juventusi dëshiron ‘tripletën’ këtë sezon

Futboll

Nedved: Juventusi dëshiron ‘tripletën’ këtë sezon

Më: 16 janar 2018 Në ora: 00:40
Juventusi po kalon në formë të lartë edhe këtë sezon (Getty Images)

Legjenda e Juventusit, tani zëvendës-president i klubit, Pavel Nedved pranon se Napoli po bën gjëra të jashtëzakonshme, por Zonja e Vjetër dëshiron të fitojë të tre trofetë këtë sezon.

Bardhezinjtë kanë fituar Scudetto për gjashtë sezonet e fundit radhazi në Serie A, por momentalisht e gjejnë veten një pikë pas Napoli pas 20 ndeshjeve të luajtura.

Por, Nedved ka theksuar se Bianconerët nuk do të dorëzohen në garën për titull, teksa dëshirojnë të fitojnë edhe Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.

“Ne jemi vetëm një pikë prapa, por duhet të pranoj se Napoli po bëjnë gjëra të jashtëzakonshme”, rrëfeu Nedved duke folur për Lidové Noviny.

“Ata janë të organizuar mirë, kanë lojtarë të mëdhenj dhe ata janë të uritur sepse nuk kanë fituar asnjë Scudetto që nga ditët e [Diego] Maradonas”.

“Nëse arrijmë të fitojmë Scudetton e shtatë, e cila është objektivi ynë, do të jetë mbrojtja më e vështirë e titullit”.

“Ne jemi ende në të tri garat dhe ne duam të fitojmë të gjitha. Prioriteti më i madh për tifozët tanë është Liga e Kampionëve, por prioriteti im është të fitojmë të tri garat”.

“Unë kurrë nuk i ul ambiciet e mia dhe vlerësoj se djemtë tanë po vazhdojnë ende të përparojnë”.

“Disa nga lojtarët tanë mund të fitojnë Scudetto e tyre të shtatë radhazi, e cila me të vërtetë është e mahnitshme”, përfundoi legjenda çeke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat