Çahet tribuna, tifozët në panik

Futboll

Çahet tribuna, tifozët në panik

Më: 16 janar 2018 Në ora: 14:19
Pamje nga ndeshja

Mund të kishte përfunduar në një tragjedi të futbollit modern, por për fat të mirë sfida mes Estoril dhe Portos për kampionatin portugez nuk regjistroi viktima. Në fundin e pjesës së pare, kur skuadra vendase ishte në avantazh 1-0, një grup i madh tifozësh, kryesisht mbështetës të skuadrës nga Porto, u dyndën në fushë pasi vunë re në tribunë një plasaritje të madhe të strukturës, që rrezikoi shembjen e tribunës ku ata ishin akomoduar. Ndeshja po luhej, kur ata çanë rrethimin të ndihmuar nga forcat e sigurisë së stadiumit “Antonio Coimbra da Mota” dhe u futën në fushën e lojës. Në faqen zyrtare, skuadra e Portos ka publikuar foto që tregojnë qartë dëmtimet e tribunës së impiantit të Estorilit. Sipas të dhënave të para, një prej rreshtave të tribunës u zhyt rreth 2 centimetra duke krijuar një frakturë me pjesën tjetër të sektorit, duke ngjallur panik te tifozët. Tribuna në fjalë ishte ndërtuar vetëm pak kohë më parë, por rreth 2500 tifozë duket se rrezikuan seriozisht edhe pse bëhet fjalë për një numër normal dhe brenda të gjitha kapaciteteve fillestare. Nuk dihet ende nëse Estoril do të rikthehet në këtë stadium gjatë sezonit aktual, por hetimet po vazhdojnë dhe brenda ditëve të ardhshme autoritetet e sigurisë dhe zyrtarët e klubit do të dalin me një vendim të përbashkët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat