Lamtumirë legjendë!

Futboll

Lamtumirë legjendë!

Më: 18 janar 2018 Në ora: 17:08
Ronaldo de Assis Moreira - Ronaldinho

Legjenda braziliane e futbollit Ronaldinho ia ka dhënë lamtumirën futbollit. Ish-lojtari i Barcelonës dhe i Milanit nuk kishte luajtur ndeshje zyrtare që prej largimit nga Fluminense në vitin 2015, por vendimin përfundimtar për t’u tërhequr e ka marrë së fundmi. 37-vjeçari tërhiqet pas 190 golave dhe 126 asistime në  513 paraqitje.

Ronaldinho ka vendosur që t’i japë fund futbollit. Fituesi i Kupës së Botës me Brazilin dhe legjenda e Barcelonës nuk ka luajtur ndeshje zyrtare qysh prej vitit 2015, kur ishte larguar nga Fluminense, por vendimin për t’i dhënë edhe zyrtarisht lamtumirën e fundit futbollit e ka marrë së fundmi.

Këtë gjë e ka konfirmuar vëllai dhe njëkohësisht edhe menaxheri i 37-vjeçarit, Roberto Asis. “Ai i ka dhënë fund futbollit, ka përfunduar”, është shprehur Roberto.

Por, i pasionuari pas festave dëshiron ta përmbyllë kapitullin e tij në futbollin e luajtur me një jehonë të madhe. “Tani do të bëjmë diçka të bukur, ashtu siç e meriton, pas Kupës së Botës në Rusi, ndoshta në gusht. ‘Nike’ (sponsori i Ronaldinhos për një kohë të gjatë) do të jetë më ne në këtë projekt, ende nuk ka detaje. Momentalisht jemi duke bërë një program, një itinerar. Fakti që ka qenë ambasador i Barcelonës për tashmë dhjetë vjet do ta ndihmojë shumë jashtë vendit. Ai ka marrë meritat më të mëdha atje. Tani janë të planifikuara tri evenimente, Meksika do të jetë i ardhshmi, më 1 mars”, ka deklaruar vëllai i ish-reprezentuesit brazilian.

Ronaldinho e kishte filluar karrierën e tij te Gremio dhe kishte kaluar tre vjet aty para se të nënshkruante me Paris Saint-Germainin në vitin 2001. Ish-bashkëlojtari i Ronaldinhos te klubi francez Jerome Leroy kishte shpjeguar sesi braziliani stërvitej vetëm një herë në javë sepse ishte i zënë pas festave.

“Ronaldinho nuk stërviste asnjë ditë të javës dhe thjesht paraqitej të premten për ndeshjen e së shtunës. Mendoja se ai ishte duke provuar të ndiqte hapat e Romarios, i cili gjithashtu dilte çdo natë, por ai nuk e pati suksesin e njëjtë”, deklaroi Leroy.

Në vitin 2002 Ronaldinho fitoi Kupën e Botës në Kore të Jugut dhe në Japoni duke realizuar gol nga një gjuajtje e lirë në çerekfinalen kundër Anglisë dhe duke iu dhënë kështu epiteti i superyllit.

Manchester Unitedi deshi shumë ta transferonte sulmuesin, por garën për shërbimet e tij e fitoi Barcelona, që pagoi 29 milionë euro për të nënshkruar me të pas një viti. Ronaldinho fitoi dy tituj të La Ligës, dy Superkupa të Spanjës dhe një Ligë të Kampionëve gjatë periudhës së tij pesëvjeçare në “Camp Nou”.

Paraqitjet e tij të jashtëzakonshme bënë që ai të fitojë tre herë çmimin “Lojtari i Vitit” nga FIFA gjatë periudhës 2004-2006. Gjithashtu ai kishte ngritur në këmbë dhe kishte fituar duartrokitjet e shikuesve të “Santiago Bernabeu”-t pas realizimit të dy supergolave në “El Clasicon” e vitit 2005.

Ronaldinho më pas zgjodhi Milanin para Mançesterit përsëri, por kësaj radhe Manchester Cityn në vitin 2008 kur edhe fitoi ligën italiane me kuqezinjtë. Pastaj u kthye në Brazil te Flamengo dhe Atletico Minieiro para se të befasonte të gjithë me një lëvizje te klubi meksikan, Queretaro në vitin 2014. Klubi i fundit i tij ishte Fluminense në vitin 2015.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat