PD shpërthen ndaj Finos: Je vegël e Ramës, kërkon ta kthesh FSHF-në në lavatriçe të Olsit

Futboll

PD shpërthen ndaj Finos: Je vegël e Ramës, kërkon ta kthesh FSHF-në në lavatriçe të Olsit

Më: 19 janar 2018 Në ora: 15:19
Fino

Partia Demokratike ka reaguar ndaj akuzave të Bashkim Finos se opozita po bën presion në Gjykatë për regjistrimin e 12 shoqatave që do të votojnë në zgjedhjet e 7 Shkurtit për kreun e FSHF-së.

Në një deklaratë të selisë blu, Fino akuzohet si vegël e Edi Ramës që kërkon të kthejë FSHF-në në një lavatriçe të parave të pista të Olsi Ramës.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike përgënjeshtron si të pavërtetë deklaratën e kandidatit të PS për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkim Fino.

Është shpifje ajo çfarë Bashkim Fino e tregon si shqetësim, se kreu i opozitës ka ndërhyrë në Gjykatën e Tiranës për të ndikuar në mënyrë të paligjshme procesin e zgjedhjeve në Federatë.

Në vend të kësaj shpifjeje, Bashkim Fino duhet të shqetësohej se gjykatat janë nën presionin e vazhdueshëm të bosit të tij, Edi Rama dhe po lirojnë nga burgu dhe nga fajësia kriminelët, më të cilët Rama ndan pushtetin, Lul Berishën, Emiljano Shullazin, trafikantët e kokainës së “Xibrakës”, Armando Prengën, Mark Frrokun.

Bashkim Fino nuk shqetësohet për këtë, sepse ka pranuar të jetë vegla e Edi Ramës, që përveç Prokurorisë, gjykatave, policisë, krimi të kapë edhe Federatën e Futbollit. Ai është pjesë e një farse politike, që ka për qëllim të kthejë Federatën Shqiptare të Futbollit në lavatriçe të pastrimit të parave të pista të Edi dhe Olsi Ramës, si dhe kriminelëve më të cilët mbajnë pushtetin.

Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk ka asnjë mjet për të ndikuar përveç sheshit! Më 27 Janar Lulzim Basha do të jetë në shesh së bashku me mijëra demokratë e socialistë të ndershëm! Për këtë shqetësohu Bashkim!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat