Zylbehari: Kjo që po ndodh me Shkëndijën nuk është e rastësishme

Futboll

Zylbehari: Kjo që po ndodh me Shkëndijën nuk është e rastësishme

Nga: Kemajl Goca Më: 19 janar 2018 Në ora: 19:29
Faton Zylbehari

Shkëndija nga Tetova është prej skuadrave më të organizuara shqiptare dhe sundon në Kampionatin e Maqedonisë në futboll. Shkëndija dhe Skënderbeu nga Korça, janë shembull për të mirë, se si bëhet organizimi në klub dhe si luftohet në arenën ndërkombëtare.  Faton Zylbehari është zëdhënës i klubit të Shkëndijës, një njeri që nuk di të lodhet dhe aq më shumë motivohet për punë nga sukseset që shënon klubi. Kuqezinjtë janë kampion vjeshtor ose kanë mbledhur 46 pikë, tetë më shumë se kampioni në fuqi Vardari nga Shkupi, pas 18 javëve të zhvilluara.  Zylbehari krahas si zëdhënës, njihet edhe si moderator, i cili 9 vite ka qenë pjesë në TV Alsat-M, tani e dy vitet e fundit në TV Shenja, njëkohësisht është edhe zëdhënësi i parë shqiptar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë.

“Bota sot”: Edhe zëdhënës edhe moderator, sa është vështirë apo edhe një lloj presioni?

Faton Zylbehari: Para se gjithash mund të them kënaqësi, sepse të dyja i bëj me shumë pasion dhe dashuri. Kjo qasje mendoj se më lehtëson shumë për t’u përballur, pasi që realisht të dyja kërkojnë shumë mund dhe përkushtim. Presioni dhe vështirësitë janë nga fakti se të jesh zëdhënës nënkupton të jesh 24 orë i lidhur me punën, pasi në një mënyrë ti je zëri i institucionit për të cilin punon dhe duhet të jesh i gatshëm të përgjigjesh për lloj-lloj kërkese nga gazetarët apo çfarëdo kontakti që ka të bëjë me marrëdhënien me publikun apo mediat. Moderimi don përgatitje të vazhdueshme dhe përveç kësaj mendoj se një masë e madhe është edhe dhunti nga Zoti, për çka unë jam shumë falënderues ndaj të Plotfuqishmit.

“Bota sot”: Shkëndija është prej klubeve më të organizuara shqiptare dhe tani një emër i respektuar në Evropë, si e sheh në pjesën e pranverës?

Faton Zylbehari: Kjo që po ndodh me Shkëndijën nuk është e rastësishme, por rezultat i një pune disavjeçare që bëhet prej kur klubi është marrë nën kompetencat e kompanisë ‘Ecolog’. Kur gjërat renditen në vendet e tyre, kur profesionalizmi në të gjitha sferat merr vendin e vet, atëherë suksesi nuk ka se si të vonojë. Prej vitit 2013 Shkëndija ka shënuar ngritje të vazhdueshme secilin vit dhe tani në pranverë besoj se vjen etapa e radhës për të parë ekipin sërish kampion. Është punuar shumë për të qenë në këtë pikë, në vjeshtë ekipi ishte bindës duke thyer disa rekorde në Ligën e Parë dhe tani në pranverë besoj vetëm në vazhdimësi për të kurorëzuar punën e bërë me titullin e dytë kampion në histori të klubit. 

“Bota sot”: Faton, a jetohet prej pagës së futbollit?

Faton Zylbehari: Varet për ku flasim dhe dua të jem i sinqertë në këtë përgjigje. Diku nuk jetohet, diku jetohet dhe ka vende ku fitohet edhe për të ardhmen. Shkëndija në aspekt financiar tanimë 5 vite nuk ka probleme dhe secili në bazë të kontratës merr atë që është marrë vesh. Por, nuk po flasim vetëm për Shkëndijën dhe nëse shikojmë për rreth, në Maqedoni nuk është se gjendja është në një nivel të kënaqshëm.  Qoftë edhe në klube ku mund të jetë një pagë relativisht e kënaqshme, por që në realitet nuk të garanton asgjë për të ardhmen pas futbollit. Por të shpresojmë se gjërat do të shkojnë mirë dhe do të ketë përmirësim në këtë drejtim.

“Bota sot”: Shkëndija pothuajse është shumë afër titullit, a besoni e shpresoni se do ta fitoni edhe Kupën?

Faton Zylbehari: Duke parë punën që bëhet në skuadër, potencialin e ekipit dhe cilësinë që kemi brenda skuadrës, besoj se ky vit do të jetë një tjetër kapitull historik për Shkëndijën. Gjithçka varet nga ne dhe nëse gjërat menaxhohen në mënyrën e duhur, uroj dhe besoj se dy trofetë do të përfundojnë në vitrinat tona. Normal, këtë që po e them duhet ta meritojmë në fushë, pa eufori, mendjemadhësi apo nënçmim të rivalëve, pasi çdo lëshim i parakohshëm mund të kushtojë shtrenjtë. Por e thash edhe më lartë, besoj se të gjithë do të jemi të aftë për të menaxhuar çdo situatë dhe në fund t’i gëzohemi suksesit.

“Bota sot”: A është Vardari rivali më i madh dhe a mendoni se në pranverë do t’i shmangeni edhe më shumë me pikë?

Faton Zylbehari: Tanimë disa vite me radhë Shkëndija dhe Vardari janë pretendentët e vetëm për titull, duke krijuar një diferencë nga ekipet tjera. Në të kaluarën shumë faktorë kanë ndikuar që titulli mos t’i takonte Shkëndijës dhe kësaj here për fat të mirë gjërat janë në favorin tonë. Sigurisht se Vardari mbetet rivali kryesor për titullin, por Shkëndija nuk nënçmon asnjë ekip tjetër në kampionat dhe secilën ndeshje e merr me qasje të njëjtë, qoftë Pobeda, Skopje, Pelisteri apo Shkupi, Vardari e Renova. Objektivi ynë mbetet titulli, pa u ngarkuar me atë nëse diferenca do të jetë më e madhe. Është e dëshmuar se kur luan pa presion dhe i merr ndeshjen njëra pas tjetrës, më lehtë vjen deri te caku. Nëse do mendonim për të rritur diferencën do t’i krijonim vetes një presion të panevojshëm për të cilin realisht tani nuk kemi nevojë.

“Bota sot”: Dy herë në garat e play-off-it, por dy herë të pafat që të kualifikohet në fazën e grupeve në Europa League. A do të jetë e treta e vërteta?

Faton Zylbehari: Nuk mund ta them se do të jetë e treta e vërteta në Europa League, sepse shpresoj dhe besoj se Shkëndija këtë vit do të luajë në eliminatoret e Champions Leagues. Kjo garë zakonisht rezulton më e rëndë se Europa League, por është normale të shikojmë gjërat me sportivitet dhe të shpresojmë për sukses në Champions. Tani ka opsione nëse eliminohesh të vazhdosh në Europa League dhe normal që do të donim të qëndrojmë sa më gjatë në Europë. Dy vitet e kaluara jemi eliminuar në play-off por përballjet me Gentin dhe Milanin kanë qenë satisfaksion i madh për të gjithë. Tani të shpresojmë se do bëjmë një hap më tutje për të vazhduar rritjen që kemi shënuar çdo vit.

“Bota sot”: Çfarë e veçon Shkëndijën nga ekipet tjera dhe a është halë në sy nga tifozeritë tjera maqedone?

Faton Zylbehari: Shkëndija është më shumë se një klub futbolli dhe këtë mund t’ua konfirmojë secili që të paktën një herë ka qenë pjesë e kësaj skuadre qoftë për një periudhë të shkurtër. Ky klub përfaqëson jo vetëm Tetovën, ndërsa duke parë rrethanat dhe periudhën e themelimit, emrin dhe ngjyrat, vetvetiu është shndërruar halë në sy jo vetëm nga tifozeritë maqedone, por edhe për pjesën më të madhe të institucioneve. E kaluara jep shumë shembuj për këtë që po them, ndërsa me kalimin e viteve situata në segmente të caktuara ka ndryshuar. Por duke qenë se shihej dhe vazhdon akoma të shihet me një sy ndryshe, kjo e bën Shkëndijën ndryshe nga tjerët. Por gjithë këto gjëra në klub merren si motiv shtesë për të dhënë më të mirën dhe për Shkëndijën përveç se punohet me mund e mendje, gjithashtu në funksion vihet zemra dhe shpirti. Prandaj është një klub ndryshe dhe shumë më shumë se vetëm një skuadër futbolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat