Shkëndija mundet nga skuadra zvicerane

Futboll

Shkëndija mundet nga skuadra zvicerane

Më: 22 janar 2018 Në ora: 18:55
Pamje nga ndeshja e sotme

Shkëndija nga Tetova zhvilloi ndeshjen e parë kontrolluese në Antalia të Turqisë, duke u mundur me rezultat 2:1 nga Zurich-u i Zvicrës. Kuqezinjtë dominuan në pjesën e parë dhe 15 minutat e fundit të ndeshjes, kur mes tjerash Junior e Ibraimi goditën kornizën e portës. Kundërshtari realizoi dy herë në pjesën e dytë, ndërsa për Shkëndijën shënoi Besart Ibraimi. Cuculi doli nga loja vetëm pas dy minutave shkaku i dëmtimit, ndërsa trajneri Qatip Osmani inkuadroi pjesën më të madhe të futbollistëve që gjenden në Turqi.

Testi i parë i kuqezinjve në tokën turke solli dy pjesë të ndryshme, me djemtë e Osmanit që kontrolluan lojën në fraksionin e parë, ndërsa u dominuan nga kundërshtari në start të pjesës së dytë kur edhe pësuan dy gola. Vlen të ceket se kjo ishte kontrolluesja e parë e Shkëndijës në Antalia dhe te futbollistët evidente është lodhja nga ngarkesa që po marrin në seancat stërvitore, ndërsa kundërshtari zviceran me këtë përballje mbylli përgatitjet në Turqi dhe të gatshëm presin startin e pjesës së dytë të kampionatit. Pjesa e parë kaloi me dominim të kuqezinjve që kishin posedim të topit dhe disa herë u kanosën seriozisht para portës zvicerane. Gjithsesi Goditja e Juniorit në minutën e 9-të u ndal në shtyllë, ndërsa pak më vonë mundësi të mirë shpërdoroi Radeski. Dominimi i Shkëndijës solli tjera mundësi, ndërsa shansin e fundit për të ndryshuar rezultatin në pjesën e parë e kishte Junior që godet bukur me kokë pas harkimit të Hasanit, mirëpo portieri Vanins edhe një herë shpëton me pritje të bukur. Pjesa e dytë nuk nisi në lartësinë e duhur nga kuqezinjtë që u dominuan nga kundërshtari. Zurich-u u kanos disa herë, por rezultati nuk ndryshoi falë pritjeve të mira të Zahovit dhe mosefikasitetit të zviceranëve.

Gjithsesi kundërshtari gjeti epërsinë në minutën e 65-të kur Raphael Dwamena godet bukur për 0:1. Shkëndija tentoi të përgjigjet por goli sërish erdhi në rrjetë të Zahovit, kësaj radhe me Roberto Rodriguez që goditi saktë për 0:2 nga penalltia në minutën e 71-të. Pak më vonë Alimi dhe Hasani zhvillojnë kundërsulm të shpejtë, mirëpo tentimi i kapitenit ndalet nga portieri kundërshtarë. Shtatë minuta para fundit Ibraimi gjendet i vetmuar para portës, mirëpo e majta e tij e fortë ndalet në traversë. Ibraimi gjithsesi do të gjente rrjetën kur në minutën e 90-të lëviz bukur në zonë dhe me një të djathtë precize çon topin në cepin e portës për rezultat final 1:2. Gjithsesi me rezultatin në plan të dytë, kjo ndeshje ishte mundësi e mirë për trajnerin Osmani për të parë në vepër gjendjen momentale të skuadrës në këtë fazë të përgatitjeve dimërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat