Muharrem, ftoji 77 futbollistë!

Futboll

Muharrem, ftoji 77 futbollistë!

Nga: Bekim Aliu Më: 23 janar 2018 Në ora: 11:14
Muharrem Sahiti

Ndonëse nuk është përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, por vetëm u.d., trajneri Muharrem Sahiti, tashmë i ka bërë të ditur emrat e futbollistëve, me të cilët do të luajë një ndeshje miqësore me Azerbajxhanin në Antalia të Turqisë. Por, këtë herë, si edhe më parë dalin në sipërfaqe 'ekspertë' nga e gjithë Kosova, duke ia bërë me dije se Sahiti është dashur të ftojë këtë apo atë futbollist.
Në rrjetet sociale lexova se Sahiti është dashur ta ftojë edhe një futbollist të njërës prej skuadrave kosovare, ndërsa më pas lexova se ai nuk e kishte ftuar asnjë futbollist të një komune të Kosovës. 
Nëse ndeshja do të zhvillohej dikur në maj apo qershor, me siguri do të dilte edhe ndonjë 'margaritar' tjetër apo emri i ndonjë futbollisti për të cilin nuk kishim dëgjuar më parë. 
Se Kosova është vend i çudirave kjo tashmë dihet botërisht. Kjo për faktin se njerëz nga të gjitha anët, brenda ditës na bëhen ekspertë dhe analistë të çdo sfere jetësore në Kosovë, pra edhe të sportit. 
Për t'i qetësuar shpirtrat dhe për t'ua plotësuar dëshirat (nëse ju plotësohen) e kam një propozim për Sahitin: ftoji 77 futbollistë (nga 11 për secilin regjion të Kosovës), e ndoshta pajtohen 'ekspertët' dhe 'analistët'.

Autori është gazetar i mirënjohur sportiv

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat