Shqipëria dhe Maqedonia në finale të turneut “Adem Jashari”

Futboll

Shqipëria dhe Maqedonia në finale të turneut “Adem Jashari”

Më: 4 mars 2018 Në ora: 13:49
Pamje nga një ndeshje

Në Pallatin e Sporteve në Prishtinë janë zhvilluar ndeshjet gjysmëfinale të edicionit të 9-të të turneut ndërkombëtar “Adem Jashari” në futsall që organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës. Turneun e shpalli të hapur presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili theksoi rëndësinë e futsallit dhe zhvillimin e hovshëm që ka bërë ky sport në Kosovë në periudhën dhjetëvjeçare. Tutje, presidenti, uroj ekipet pjesëmarrëse për sukses dhe lojëra korrekte, derisa theksoi se ky turne përkon edhe me festimin e 10-vjetorit të futsallit nga FFK si dhe 10 vjetorit të Pavarësisë së shtetit. Në ndeshjen e parë u ballafaquan Kombëtarja U21 e Kosovës dhe Maqedonia, ku pas një loje interesante në fund fitores iu gëzua ekipi i Maqedonisë, me rezultat 4:1. Të rinjtë e Kosovës, për të cilët ky ishte grumbullimi i parë si ekip, në pjesën e parë luajtën shumë mirë dhe arritën të shkojnë në pushim në epërsi, me golin e realizuar nga Bardh Kelmendi, në minutën e 13-të. Megjithatë, në pjesën e dytë erdhi në shprehje përvoja dhe cilësia e ekipit të Maqedonisë, që arriti ta përmbysë rezultatin me golat e shënuar nga Zorann Levevski (26’), Martin Todojevski (32’) dhe Taulant Ismajli (34’, 39’).

Ndeshje shumë më interesante dhe më rivalizuese ishte ajo ndërmjet Kombëtares së Kosovës dhe Kombëtares së Shqipërisë, ku finalisti u caktua vetëm pas vazhdimeve. Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi qysh në minutën e parë, me golin e Jeton Rukovcit. Epërsinë në 2:0 e shtoi Fadil Goli, në minutën e 16-të. Megjithatë, Shqipëria brenda dy minutave përmbysi shifrat, me golat e Mentor Mejzinit (19’) e Besnik Rexhepajt (19’, 20’). Më pas Kosova shënoi dy herë për të kaluar në epërsi nëpërmjet Ramadan Alajt (22’) e Arbër Dobroshit (35’). Shqipëria barazoi vetëm një minute më vonë, me Besnik Rexhepajn, derisa epërsinë e Kosovës e riktheu Fadil Goli, në minutën e 38-të. Kur u mendua se Kosova do të kualifikohej në finale, 9 sekonda para përfundimit të ndeshjes kuqezinjtë i barazuan shifrat, me golin e Narcis Alibegut. Ndërkohë, në vazhdimet dy herë nga 5 minuta, Shqipëria realizoi dy gola dhe më pas arriti ta administrojë rezultatin deri në fund, duke kaluar në finale.
Kësisoj, sot në orën 15:00, në ndeshjen për vendin e tretë do të takohen Kosova A – Kosova U21 dhe në orën 17:00 në finale, do të luajnë Shqipëria – Maqedonia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat