Nga Gjirokastra në Shkodër, luhet për Europën dhe mbijetesën

Futboll

Nga Gjirokastra në Shkodër, luhet për Europën dhe mbijetesën

Më: 5 mars 2018 Në ora: 08:16
ilustrim

Sot luhen dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të të Superiore, rezultatet e të cilave mund ta “nxehin” edhe më shumë garën, sidomos për zonën Europiane.


Në orën 14:00, në Gjirokastër do të zhvillohet përballja e pestë sezonale mes Luftëtarit dhe Laçit, dy skuadra që ndahen nga vetëm një pikë në klasifikim, me kurbinasit që kanë grumbulluar vetëm një pikë më shumë, 32 përkundrejt 31 të bluzinjve. Është interesant fakti që në dy sfidat e para të kampionatin të dyja skuadrat kanë marrë fitore në transfertë, ndërsa në Kupën e Shqipërisë Laçi ishte shumë shfaqur më i motivuar, duke triumfuar në të dyja përplasjet.

Mirëpo Luftëtari ka ndryshuar shumë në muajt e fundit, nuk njeh humbje në Superiore prej 10 takimesh, duke u shndërruar në kandidat potencial për një vend në kupat e Europës. Laçi nga ana tjetër e pretendon Europën edhe nga Kupa dhe në ndeshjet e fundit është shfaqur më cinike në transfertë, duke humbur sfidat e shtëpisë.

Në orën 17:00, në “Loro Boriçi” luhet takimi Vllaznia – Flamurtari, me të dyja skuadrat që kërkojnë fitoren edhe pse për objektiva të ndryshëm. Shkodranët, duan me çdo kusht tri pikët për t’iu larguar Teutës në zonën e ftohtë, aq më tepër që durrsakët me pikën që morën ndaj Partizanit kanë zhvendosur në vendin e 9-të, edhe pse me pikë të barabarta, pikërisht Vllazninë. Nga ana tjetër Flamurtari, që ka si objektiv parësor pjesëmarrjen në Kupat e Europës nuk dëshiron që të lejojë shkëputjen e Kukësit në vendin e dytë, që ka 3 pikë më shumë pas fitores në transfertë me Lushnjën. Një sfidë shumë interesante kjo e Shkodrës, ku barazimi do të ishte një rezultat që nuk do të bënte shumë punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat