Krejt po ndodhin në futbollin e Kosovës!

Futboll

Krejt po ndodhin në futbollin e Kosovës!

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 8 mars 2018 Në ora: 14:15
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Arsyetimet e trajnerëve në futbollin e Kosovës, me një gjuhë pothuajse të njëjtë, gjithnjë duke gjetur faktor për dështimin kryesisht thonë se nuk patëm fat, gjyqtarët na dëmtuan, presioni mental etj. dhe opinioni futbolldashës disi po i pranon këto arsyetime edhe pse jo të drejta. Por është e papranueshme sjellja dhe veprimet e disa trajnerëve që fare nuk i përkasin fjalorit dhe kulturës sportive, një gjuhë e ashpër dhe e nivelit të ulët ndaj gjyqtarëve, personave zyrtar apo edhe ndaj tifozërisë! Ajo çka ndodhi javë më parë në Gjilan në ndeshjen KF Drita – KF Feronikeli, ku trajneri mysafir fyen rëndë para kamerave televizive (live) tifozerinë vendase, me një fjalor të ulët dhe të ndytë, çka nuk duhet ti përkasë një “pedagogu”.

Ende pa u harruar rasti në Gjilan, ndodhë tjetri në stadiumin e Ferizajt në ndeshjen e Kupës në mes KF Gjilani –KF Vushtrria, ku trajneri i KF Gjilani pas humbjes dhe eliminimit nga kupa, fyen rëndë tifozët gjilanas pas kërkesës së tyre për dorëheqje, gjë që me këso lloj veprimesh të trajnerëve, po bie niveli i mentalitetit dhe kulturës sportive. Janë të pakuptimta dhe të papranueshme fyerjet e dy trajnerëve që nuk janë gjilanas por kanë ngrënë bukën dhe u është bërë konak në Gjilan, fyejnë mu ata nga të cilët kanë patur përkrahjen me të madhe, fyen mu ata për të cilët edhe luhet futbolli.

Trajneri paraqet pasqyrën e ekipit, por në këto dy raste, trajnerët në fjalë paraqiten vetëm kulturën sportive të veten dhe të një trajneri të një niveli tjetër karshi ekipeve. Si duket tash po vije në shprehje shkollimi dyjavor nëpër shkollat e “natës” të licencimit, mungesa e profesionalizmit, mungesa e organizimit të mirëfilltë të shoqatës së trajnerëve të Kosovës dhe neglizhenca e organeve gjegjëse që duhet ashpër të dënojë raste të tilla. Klubet e Gjilanit dhe vetë tifozeria më e madhe në Rajon me një kulturë të lartë sportive, dijnë të respektojnë, njohin korrektësinë dhe nderojnë trajnerët dhe futbollistët sidomos ata që nuk janë gjilanas, por kjo nuk i jep të drejtë askujt të keqpërdoret dhe të ju kthehet me fyerjet me të rënda, aq me pak trajnerëve dhe futbollistëve që marrin paga të majme nga këto klube.

Shoqata e Trajnerëve të Kosoves dhe komisioni disiplinor brenda FFK-së, duhet urgjentisht të reflektojnë, jo symbyllazi ti kalojnë këto dukuri degraduese sikur në të kaluarën, në të kundërtën këto degradime do të përsëriten në vazhdimësi. Trajner: keni kujdes në fjalorin tuaj sepse edhe fëmijët tanë po e shikojnë dhe po e percjellin futbollin e Kosovës.

Autori është ish futbollist i Dritës dhe ish gjyqtar i futbollist

Qëndrimet nuk janë të redaksisë

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat