Dalipi: Partizani im synon Kupat e Europës

Futboll

Dalipi: Partizani im synon Kupat e Europës

Më: 9 mars 2018 Në ora: 15:34
Klevis Dalipi

Klevis Dalipi do ta ketë “sefte” si trajner i parë, i emëruar, në drejtimin e Partizanit. E nis në një ballafaqim të vështirë, kundër Luftëtarit, që drejtohet nga një “pinjoll i kuq”, sikurse është Hasan Lika, me mjaft eksperiencë në drejtimin e disa skuadrave shqiptare. Në konferencën e sotme për shtyp, Dalipi ka nënvizuar objektivin e të tijtë në javën e 24-t të Superiores, por edhe në fund të krejt sezonit: “Ndeshja e parë si trajner i Partizanit? Kam një falënderim për presidentin Demi, klubin, drejtorin Olsi Rama që më plotësuan një nga ëndrrrat e mia, të cilën e kam pasur si futbollist dhe po e realizoj si trajner. Kjo detyrë ërbën një privilegj të madh. Nuk është pak ta nisësh karrierën si trajner në një klub elitar, si Partizani. Një hap i madh, por është vetëm fillimi. Jetëgjatësia ime dhe e cilitdo në këtë rol varet nga rezultatet. A na motivon më shumë humbja 5-0 e ndeshjes së fundit me Luftëtarin? Ajo i përket të kaluarës, do të shërbejë për statisitikë. Nuk kthehet më asgjë pas. Nuk kemi nevojë për motivime të tilla, sepse ne e dimë detyrën, duhet të fitojmë mundësisht në çdo ndeshje.

Këto ditë kam parë një ekip të motivuar, lojtarët kanë dëshirën për të zbatuar çdo gjë që u është kërkuar. Do të japim maksimumin ndaj Luftëtarit, do të synojmë tri pikët, sepse nuk na mungon asgjë. Fati nuk ka qenë me ne në ndeshjet e fundit dhe për këtë e pësoi edhe trajneri Starova. Çfarë do të ndryshoj? Kam planet e mia, si çdo trajner tjetër. Më bën shumë optimist besimi që presidenca ka tek unë. Punoj prej pesë vitesh këtu, e njoh skuadrën dhe e di se çfarë i mundon lojtarët, sigurisht në mënyrën time. Gjatë këtyre ditëve kam parë lojtarë që janë më të çliruar. Shpresoj që kjo të pasqyrohet edhe në ndeshjen me Luftëtarin. Do të jetë më mirë të flasim pas ndeshjes. Kundërshtari është sipër nesh në renditje dhe luan shumë mirë futboll. Ka pikat e veta pozitive dhe negative. Sigurisht, e kemi studiuar Luftëtarin dhe kemi punuar për të neutralizuar. Ne e kemi detyrim që t’i fitojmë ndeshjet, ndaj duhet të bëjmë më shumë në aspektin sulmues. Për të marrë një barazim është më e lehtë, por kjo nuk na vlen. Luajmë vetëm për fitore. Nuk ia ushqej vetes se do të ndodhë diçka e keqe, pavarësisht se mund të vijë.

Kam besimin e plotë te lojtarët, bazohem në punën e bërë në stërvitje. Mendoj se cilido është i angazhuar maksimalisht për të dhënë më të mirën për këtë fanellë. Situata e Edgar Çanit? Ka dhënë shenja pozitive në stërvitje. Do ta shohim edhe sot dhe më pas do të vendosim nëse do të jetë në stol ndaj Luftëtarit. Grupin e kemi të plotë, ka mjaft konkurrencë, porn a mungojnë rezultatet për të arritur objektivin minimal, Kupat e Europës. Unë kundër Hasan Likës?Është një emocion i veçantë, pasi kemi punuar bashkë. Lika e di se kjo është një ndeshje, të cilën jemi të dënuar ta fitojmë. Gjatë 90 minutave të lojës do të jemi kundërshtarë. Formacioni? Nuk do të ndryshoj gjë në këtë drejtim. Starova ishte i pafat për një autogol që pësuam me Skënderbeun. Fati nuk ishte me të. Pësuam në fund edhe me Teutën. Do të luajnë si përherë ata që e meritojnë. Objektivi që kam marrë përsipër? Patjetër, synojmë Kupat e Europës. T’i vlerësojmë maksimalisht ndeshjet e mbetura, duke i marrë një e nga një, që nga ajo e ditës së nesërme me Luftëtarin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat