Batatina: Në dy ndeshje vendimtare ka ndikuar arbitri Shala

Futboll

Batatina: Në dy ndeshje vendimtare ka ndikuar arbitri Shala

Nga: Kemajl Goca Më: 12 mars 2018 Në ora: 14:33
Batatina

Llapit nga Podujeva nuk po i shkon mirë në pjesën pranverore sidomos në katër ndeshjet e para ka po aq humbje në elitën e futbollit.  Llapjanët e nisën me humbje (2:0) në stadiumin “Shahin Haxhiislami” në Pejë, në përballje me Prishtinën, pastaj si vendas gabuan, humbën me 1:0 nga Drita. Në Prishtinë u mundën me 2:1 nga Flamurtari dhe të dielën që e lamë pas në “Zahir Pajaziti” u mposhtën me 2:0 nga Liria e Prizrenit. Sipas kësaj, del se sulmi është në gjumë të thellë, po ashtu edhe mbrojtja jo në nivelin e duhur. Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka arsyetuar rezultatet e pakëndshme në katër javët e para të pranverës, por paralajmëron se skuadra e tij do të rikthehet fuqishëm. Në fakt, Llapi ishte kampion vjeshtor me 34 pikë, ndërsa tani pas katër jave të pranverës përkatësisht java e 22-të renditen në pozitën e gjashtë me 34 pikë apo ngecin tetë pikë nga lideri, Prishtina.

“Bota sot”: Në katër javët e para, Llapi ka të gjitha humbje, diçka nuk funksionon apo të pafat?

Tahir Batatina: Nëse i shikojmë ndeshjet dhe angazhimin e lojtarëve, mendoj se fati deri me tani na ka kthyer shpinën. Shpresoj mu rikthye rezultatet dhe me i marr ndeshjet një nga një, asgjë s’ka përfunduar në kampionat.

“Bota sot”: Prishtina +8 pikë, a shpresoni se mund ta arrini kreun?

Tahir Batatina: Të gjithë rivalët do të ndeshemi mes vete, kjo e ka një përparësi të madhe.

“Bota sot”: Në javën e 23-të dhe të 24-të, dy takime si vendase, kundër Vllaznisë, pastaj ndaj Trepçës '89, a shpresoni në pikë të plota?

Tahir Batatina: Mendoj se do të përgatitemi maksimalisht dhe nëse i kalojmë dy ndeshjet me sukses, lufta për titull do të ndizet ende më shumë.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh deri në fund në valle për titull?

Tahir Batatina: Në luftë për titull janë Prishtina, Drita, Trepça ’89, Feronikeli e Llapi.

“Bota sot”: Katër ndeshje po aq humbje, a është dëmtuar Llapi në ndonjë sfidë?

Tahir Batatina: Mendoj se ne jemi dëmtuar si në Kupë po ashtu edhe në kampionat, pra direkt në dy ndeshje vendimtare ka ndikuar arbitri Gramos Shala, ku pas gabimit te bërë në Kupë, prapë FFK e delegon gjyqtar të 4-të në ndeshje, pa marr asnjë masë ndaj tij, arsyeja ka qenë se u dëmtua Llapi dhe nuk ka rëndësi shumë.

“Bota sot”: Si e sheh Llapin deri në fund?

Tahir Batatina: Nëse këto dy ndeshje radhazi do t’i fitojmë mundemi mu rikthyer të fort sepse këto janë ndeshjet vendimtare.

Vala Superliga, java e 23-të

E mërkurë

Drita-Drenica

Prishtina-Trepça ‘89

Liria-Vëllaznimi

Llapi-Vllaznia

Feronikeli-Besa

E enjte

Gjilani-Flamurtari

Ndeshjet fillojnë në orën 14.00

Vala Superliga, java e 24-të

E shtunë

Drenica-Prishtina

Llapi-Trepça ‘89

E diel

Vëllaznimi-Drita

Flamurtari-Liria

Besa-Gjilani

Vllaznia-Feronikeli

Ndeshjet fillojnë në orën 14.00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat