Shkëndija U-19 mund ekipin nga Strumica

Futboll

Shkëndija U-19 mund ekipin nga Strumica

Më: 15 mars 2018 Në ora: 19:02
Ilustrim

Skuadra U19 e Shkëndijës nga Tetova ka nisur mbarë gjysmësezonin pranveror, duke shënuar fitore 2:1 në transfertën me Akademia Pandevin në Strumicë. Ensar Luma ishte heroi i takimit me dy gola të shënuar, që bënë të pavlefshme epërsinë e vendasve në pjesën e parë.

Shpresat kuqezi vazhdojnë vitin 2018 aty ku u ndalën në 2017-ën. Super Liga e Maqedonisë për juniorë shënoi startin e gjysmësezonit pranveror, ndërsa Shkëndija U19 kishte fillim të mbarë me tre pikë të fituara në fushë të Akademia Pandevit. Skuadra e drejtuar nga Bekim Osmani triumfoi 2:1 me përmbysje në pjesën e dytë, pasi pas fraksionit të parë ishte në negativë 1:0. Emir Skenderi u dha vendasve epërsi në minutën e 14-të dhe me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim. Të pakënaqur me negativën, të përzgjedhurit e trajnerit Bekim Osmani në pjesën e dytë rritën presionin drejt portës vendase, duke arritur të materializojnë ofenzivën me dy gola për fitore. Ensar Luma ishte heroi i shpresave pasi në minutën e 60-të shënoi për barazim 1:1, ndërsa 7 minuta para fundit solli golin e vlefshëm tre pikë. Kjo ishte fitorja e 12-të në 15-të takime, me Shkëndijën U19 që udhëheq renditjen me 38 pikë, plot 11-të më shumë se Vardari në vendin e dytë.

AKADEMIA PANDEV U19-SHKËNDIJA U19 1:2 (1:0)
Golashënues: 1:0 Skenderi 14’, 1:1 Luma 60′, 1:2 Luma 83′
SHKËNDIJA U19: Iljazi, Aliti, Mislimi, Aliu, Beqiri, Osmani, E. Luma, Rexhepi, Rasimi, Ramadani, Mehmedi.
Luajtën edhe: Gafur, Ibraimi dhe Loki.
Trajner: Bekim Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat