Spalletti: Nuk mund të gabojmë më deri në fund…

Futboll

Spalletti: Nuk mund të gabojmë më deri në fund…

Më: 17 mars 2018 Në ora: 15:52
Luciano Spalletti

Në prag të ndeshjes në “Marassi” kundër Sampdoria, Luciano Spalletti deklaroi se Inter i tij është gati për sprintin final për të arritur një vend në Champions League. “Skuadrat e tjera do të na e komplikojnë shumë punën. Duhet të jemi në lartësinë e duhur për t’i bërë në nivel të lartë 11 ndeshjet e fundit. Nuk mund të gabojmë më deri në fund të kampionatit. Duhet të jemi 2000% të përqendruar dhe të shtyjmë me maksimumin e forcës. Në ndeshjet e fundit ka ndryshuar diçka për mirë.”

I pyetur nëse Champions për Inter kalon nga “Marassi”, Spalletti tha: “Do të ketë ndikim patjetër. Do të vendosin edhe ndeshje të tjera, por kjo Sampdoria meriton respekt, sepse ka forcë dhe cilësi. Luan një futboll modern dhe ka një staf teknik shumë të përgatitur, pastaj në fushën e tyre kanë lënë shumë pak pikë. Ne kemi nevojë për paraqitje të mira për të arritur objektivin. Skuadra ime nuk është paraqitur shumë mirë në transfertë kohët e fundit, por pres kthesë në këtë aspekt dhe personalitet në fushë.”

Që nga fillimi i muajit dhjetor Inter pëson me shumë gola dhe shënon më pak. Rrjedhimisht edhe pikët në renditje kanë qenë me pikatore.

“Fakti që nuk shënojmë më shumë ka të bëj me momentin e formës që po kalon e gjithë skuadra. Kur gjërat nuk funksionojnë është më e vështirë të bësh aksione ashtu si duhet. Gjithsesi në dy ndeshjet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra për mirë dhe unë e kam situatën të qartë. Që nesër pres të shoh vazhdimësi nga ekipi dhe përmirësim të mëtejshëm.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat