Në Korçë pritet spektakël, Teuta luan mbijetesën në Lushnjë

Futboll

Në Korçë pritet spektakël, Teuta luan mbijetesën në Lushnjë

Më: 18 mars 2018 Në ora: 00:47
ilustrim

Kategoria Superiore do të vijojë sot me 3 nga 5 ndeshjet e javës së 26, teksa në fushë do të zbresë Teuta, që lufton për mbijetesë, por edhe skuadrat që synojnë një vend për në Kupat Europiane, si Luftëtari, Kamza apo Laçi.

Kështu në orën 14:00, në Lushnjë vendasit e vendit të fundit, do të presin skuadrën e parafundit në renditje, Teutën. Me lushnjarët thuajse të pashpresë për të mbijetuar, skuadra e Begejës do të kërkojë të marrë 3 pikët për t’iu afruar më shumë Vllaznisë, që për momentin ka 4 pikë më tepër. Bregdetarët vijnë pas disa ndeshjesh të mira, por pa arritur dot të marrin rezultatet e pritura, ndërsa Lushnja shikohet si skuadra ndaj të cilës nuk mund të gabohet. Gjithsesi verdhejeshilët nuk kanë presionin e pikëve dhe për më tepër, kanë në gjirin e ekipit disa lojtarë me shumë eksperiencë, të aftë t’i hapin punë çdo kundërshtari, ndaj edhe për Teutën nuk do të jetë shëtitje.

Po në orën 14:00, Kamza do të udhëtojë në Laç, për t’u përballur me vendasit që janë rikthyer te fitorja në dy takimet e fundit dhe aktualisht pozicionohen në vendin e 3-të. Skuadra e Mezanit do të kërkojë të blindojë pozitat në zonën europiane dhe sfidat në shtëpi janë ato që duhen fituar patjetër. Nga ana tjetër, Kamza vjen pas disa javësh pa fitore, por barazimi ndaj Flamurtarit në Vlorë ka rikthyer qetësinë dhe optimizmin te skuadra e Ndreut. Kamza i rri ende larg objektivit Europë, pasi fillimisht do të sigurojë qëndrimin në Superiore edhe matematikisht, ndaj do të kërkojë t’ia vështirësojë Laçit nesër.

Sfida më interesante e të dielës do të luhet në orën 17:00 në stadiumin ‘Skënderbeu’ të Korçës, mes vendasve dhe Luftëtarit. Korçarët janë në pozita komode dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Luftëtarin, që është shumë larg zonës së ftohtë dhe tani ka piketuar pjesëmarrjen në Europë si synim sezonal. Në fushë do të zbresin dy prej skuadrave që aplikojnë futbollin më të bukur në Superiore, teksa nuk do të mungojnë edhe talentet si Gavazaj e Abazaj, që përballë trajnerit të Kombëtares Shqiptare, Cristian Panucci, do të kërkojnë të tregojnë se e kanë merituar ftesën që morën dy ditë më parë.

Të 3 sfidat, bashkë me intervistat e trajnerëve dhe lojtarëve më të mirë, do të sillen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, duke filluar që nga ora 13:00 me emisionin ‘Gol pas goli’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat