Inter para testit Sampdoria, Napoli për t’iu afruar Juves

Futboll

Inter para testit Sampdoria, Napoli për t’iu afruar Juves

Më: 18 mars 2018 Në ora: 09:59
Icardi

Seria A fillon menjëherë spektakolare me sfidën e Marasit, mes Sampdorias dhe Interit, që do të startojë në orën 12:30. Zikaltrit kanë nevojë emergjente për pikë, për të konsoliduar pozitat në zonën Champions, kur kanë mbetur edhe 11 javë deri në fund të sezonit dhe kjo është një nga ato ndeshje ku duhet marrë maksimumi. Nga ana tjetër edhe vendasit synojnë të sigurojnë një vend që të dërgon në Europa League, pasi tashmë janë 3 pikë larg Milanit. Për më tepër, skuadra e Giampaolos ka treguar se në shtëpi është shumë e fortë, duke mposhtur thuajse të gjithë kundërshtarët.

Pasi u eliminua nga Europa League ndaj Arsenalit, Milani do të kërkojë t’i japë vazhdimësi rezultateve në kampionat, për t’iu afruar edhe më shumë zonës Champions, si objektiv i deklaruar sezonal. Kuqezinjtë do të presin në ‘San Siro’ një Chievo në krizë, që ndryshe nga pjesa e parë e sezonit, tashmë ka humbur orientimin dhe luan për t’i shpëtuar rënies në Serinë B. Gattuso vjen me ekip të plotë, teksa e vetmja gjë që shikohet me shqetësim, është lodhja që mund të shfaqë ndikimin e vet, pasi formacioni i Milanit ka ndryshuar shumë pak në këto 3 muaj të fundit.

Një tjetër sfidë interesante do të jetë edhe ajo mes Torinos dhe Fiorentinës, dy skuadra që janë konsoliduar në mesin e tabelës dhe objektivi i vetëm është që të dhurojnë spektakël në fushën e lojës. Gjithashtu në orën 15:00 do të luhen edhe sfidat Crotone-Roma, Verona-Atalanta dhe Benevento-Cagliari.

Ndryshe nga si ndodh zakonisht, mbrëmja e të dielës në Serinë A do të propozojë dy takime mjaft interesante, Lazio-Bologna dhe Napoli-Genoa. Skuadra e Simone Inzaghit siguroi kualifikimin për në çerekfinalet e Europa Leagues të enjten, por objektivi madhor është pjesëmarrja në Champions League dhe për ta arritur, duhet fituar me Bolognën. Për më tepër, Lazio nuk fiton prej 2 takimesh në Serinë A, pas humbjes me Juventusin dhe barazimit me Cagliarin.

Në ‘San Paolo’ Napoli i Sarrit do të kërkojë të shfrytëzojë hapin fals të Juventusit mbrëmë ndaj Spalit, për të reduktuar distancën nga bardhezinjtë në vetëm 2 pikë. Genoa është një ekip që mund të sjellë vështirësi, por napolitanët nuk fitojnë prej 2 takimesh dhe e dinë se për të shkuar te titulli, duhet të bëjnë një sprint fantastik në këtë pjesë të fundit të sezonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat