Cook pranë debutimit me Anglinë, gjyshi i tij do të fitojë 17 mijë paundë!!!

Futboll

Cook pranë debutimit me Anglinë, gjyshi i tij do të fitojë 17 mijë paundë!!!

Më: 23 mars 2018 Në ora: 00:47
Lewis Cook

Lewis Cook, datëlindja 1997, mesfushori i Bournemouth, është një nga zbulimet e Premier League në këtë sezon me 23 ndeshje të luajtura dhe 2 gola të shënuar dhe është grumbulluar nga trajneri i kombëtares angleze Gareth Southgate për dy ndeshje miqësore në fund të muajit mars kundër Holandës dhe Italisë. Nuk do të jetë e lehtë, por objektivi i tij është të futet në listën e lojtarëve që do të grumbullohen për në Kupën e Botës 2018.

Por është dikush që po feston ose do të festojë së shpejti: gjyshi i Lewis Cook. Trevor Burlingham ka vënë bast tre vjet më parë se nipi i tij do të zbriste në fushë me “tre luanët” para se të mbushte 26 vjeç. Cook aktualisht është 21 vjeç dhe ky bast i fituar do të çojë në xhepat e gjyshit plot 17 mijë stërlina, me 500 stërlina bast që kishte vënë. Edhe në nëntor, Southgate e kishte grumbulluar për miqësoret ndaj Gjermanisë dhe Brazilit, por nuk e kishte aktivizuar.

Gjithsesi, për Cook nuk është hera e parë që luan për përfaqësuesen e vendit të tij, sepse ai ka qenë pjesë e rregullt e ekipeve kombëtare që nga U-16 deri në U-21. Në vitin 2014 ka qenë një nga futbollistët më të mirë që morën europianin U-17, ndërsa në vitin 2017 ishte kapiteni i Anglisë U-20 që u shpall kampione e botës.

Kjo nuk është hera e parë në Angli që dikush fiton parà duke vënë bast për aktivizimin e një familjari të tij me përfaqësuesen. Në vitin 2006, babai i ish-portierit të Liverpool, Chris Kirkland fitoi 10 mijë stërlina pasi numri 1 mbrojti portën e “luanëve” në ndeshjen kundër Greqisë, nën drejtimin e Steve McClaren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat