Hajvalia në krizë të madhe, lojtarët nuk kanë as ku të lahen

Futboll

Hajvalia në krizë të madhe, lojtarët nuk kanë as ku të lahen

Nga: Kemajl Goca Më: 3 prill 2018 Në ora: 16:31
KF Hajvalia

Hajvalia është në krizë të thellë financiare. Klubi i futbollit Hajvalia garon në Ligën e Parë të Kosovës, e cila aktualisht është në vendin e parafundit (i 15-ti) me 23 pikë pas 23 javë të zhvilluara, ndërsa para dy viteve ishin nënkampion të Superligës. Klubi është në zonën e kuqe dhe shumë lehtë mund të bie në Ligën e dytë, por trajneri i kësaj skuadre Emin Bajrami shpreson përmes barazhit ta sigurojnë mbijetesën.  “Kushtet financiare e kanë prurë në këtë pozitë Hajvalinë.

Nuk e kemi asnjë lojtar të nivelit të lartë dhe me kontratë profesionale sepse nuk kanë pranuar të rrinë tek ne për shkaqe financiare dhe kjo ka qenë krejt normale. Kemi një grup të rinjsh të lojtarëve,  po mundohem të komponohemi dhe mos me lejuar ekipin mu shuar, duke e ditur se asnjë centi nuk marrin lojtarët. Kemi lojtarë që udhëtojnë nga qytetet tjera, si nga Ferizaj, Rahoveci, Gjakova etj. dhe luajnë në baza vullnetare për me treguar veten”, tha Bajrami për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Hajvalia është në situatë të rëndë, me shpresë se do t’i ikin pozitës së parafundit që shpie një rang më poshtë.

“Nuk jemi mirë në tabelë, prapë po them duke i parë këto kushte çfarë janë, ku nuk kemi asnjë shishe me uji, nuk kanë lojtarët as ku të bëjmë tush dhe as kushte minimale në fushën e futbollit në Kizhnicë. Megjithatë, në këto kushte të vështira kemi lënë shumë prapa Kosovën e Prishtinës që është më e organizuar, pastaj shtyhem me Kikën që ka buxhetin mujor 8 mijë euro, me Bashkimin e Koretinit, me ekipin me renome Trepçën nga Mitrovica. Jemi duke luftuar me mish e më shpirt për të mbetur në barazh dhe pastaj besoj fuqishëm se në do ta sigurojmë ekzistencën”, shpreh optimizmin Bajrami. Ai çuditet se në çfarë kushte është klubi.

“Lojtarët nuk kanë as uji për mu la pas çdo stërvitje dhe kjo është e çuditshme me na ndodhë në shekullin 21”, ankohet ai. “Besoj fuqishëm te këta djelmoshat, me karakterin dhe lojërat e mira që zhvillojnë, do të arrijmë qëllimin. Në disa ndeshje fati na ka kthyer shpinën sikurse me KEK-un, ku në pjesën e parë avancuam me 1:0, por në fund pësuam me 2:1,  po ashtu në Koretin në minutën e 90+3 humbëm me 1:0 dhe tash e kemi humbur lojën me Rahovecin.  Kemi fituar me Kikën, me Kosovën e Prishtinës dhe tani e kemi lojën shumë më rëndësi me Onix-in”, thotë Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat