City shpreson në përmbysje, te Liverpooli mbretëron qetësi!

Futboll

City shpreson në përmbysje, te Liverpooli mbretëron qetësi!

Më: 10 prill 2018 Në ora: 11:58
Pamje nga ndeshja Liverpool-Manchester City

Liverpooli është i qetë për shkak të fitores me rezultat 3:0 në Anfield dhe tani beson se do të nxjerrë rezultat të mirë sonte (20.45) edhe në ‘Etihad’ Manchester Cityt, në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Champions League në futboll. Manchester Cityt i duhet fitorja 4:0 apo 5:1 që të shkojë më tej, kurse “Redsat” kanë epërsinë e mirë, por nuk ndjehen edhe aq komod kur dihet se çfarë sulmi të rrezikshëm kanë “milionerët”.  Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, qëndron me këmbë në tokë dhe kërkon përqendrim nga skuadra e tij për sfidën e kthimit ndaj Manchester Cityt.

Në “Etihad Stadium”, të kuqtë do të shkojnë të mbrojnë avantazhin e ndeshjes së parë, por sipas trajnerit gjerman misioni për djemtë që ai drejton nuk do të jetë aspak i thjeshtë. “Manchester City është një skuadër fantastike, por edhe ata janë humanë. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të luajmë mirë sepse ndaj Manchester United të shtunën ata mund të kishin shënuar 5 apo 6 gola vetëm në pjesën e parë. Për të pasur sukses ne duhet të harrojmë rezultatin e ndeshjes së parë dhe të fokusohemi vetëm te fakti që kjo ndeshje do të nisë me shifrat 0:0. Duhet të mbrohemi mirë ashtu si në pjesën e dytë në ‘Anfield Road’. Do të luajmë për ta fituar takimin dhe jo për të mbrojtur avantazhin e ndeshjes së parë. Salah? Nuk e di nëse do të jetë gati për këtë ndeshje, do të vendos vetëm pas stërvitjes së fundit nëse ai do të luajë”, tha Klopp. Pep Guardiola, trajner i Manchester Cityt, duket shumë optimist.

Trajneri i “qytetarëve” theksoi se pavarësisht humbjes së parë 3:0, beson se në “Etihad Stadium” djemtë e tij do të dinë të përmbysin rezultatin. “Nuk ka nevojë për motivacione speciale në të tilla raste. Kam një skuadër të jashtëzakonshme, që vështirë se mund të krahasohet me të tjera. Ne nuk tërhiqemi kurrë. Duhet cinizëm përpara porte, por edhe nëse humbim një rast, duhet ta harrojmë dhe të shikojmë përpara. Ndeshjen e kaluar kemi krijuar shumë raste dhe sot e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi Guardiola. Mesfushori i Manchester Cityt, Fernandinho, pretendon se Liverpool është një ekip që i pëlqen të luajë me topa të gjatë. “Kemi luajtur tri herë ndaj tyre këtë sezon. I mundëm 5:0 brenda. Është një ekip që pëlqen të luajë me topa të gjatë”, tha ai.  Fitorja 3:0 i ka dhënë një avantazh të rehatshëm Liverpoolit në luftën për të arritur në gjysmëfinalen e Champions League për të parën herë pas 10 viteve dhe Fernandinho pranon se një gol tjetër i pësuar do të ishte nokauti për ‘Qytetarët’. “Tani e kanë radhën lojtarët me eksperiencë të tregojnë veten. Duhet të luajmë të bashkuar deri në fund”, tha Fernandinho. Ndërkaq, Barcelona shkon e favorizuar në “Olympico” dhe aq me tepër epërsinë 4:1 kundër Romës. Roma ka sprovë të vështirë ndaj Barcelonës që ka sulmin më të frikshëm, por shpresojnë t befasojnë!

Champions League

Sonte, ndeshjet e kthimit  

Roma-Barcelona 20.45 (1:4)

Manchester City-Liverpool 20:45 (0:3)

Në kllapa rezultatet e ndeshjeve të para

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat