Renova apo Shkëndija në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë?

Futboll

Renova apo Shkëndija në finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë?

Më: 10 prill 2018 Në ora: 18:29
Pamje nga një ndeshje e Shkëndijes me Renovën

Pestë ditë pas fitores 5:0 në kampionat Shkëndija e Tetovës të mërkurën (nesër) sërish përballet me Renovën e Xhepçishtit të Tetovës, tani në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Maqedonisë në futboll. Barazimi 1:1 në takimin e parë detyron kuqezinjtë të fitojnë për të prekur finalen e Kupës. Shkëndija kërkon finalen e tretë të njëpasnjëshme në Kupën e Maqedonisë, pasi dy edicionet e kaluara luajti ndeshjen për trofe. Kuqezinjtë janë të paktën 90-të minuta (nëse ndeshja nuk ka vazhdime) larg kualifikimit në finale dhe për të avancuar në ndeshjen për trofeun e Kupës duhet të kalohet Renova. Të mërkurën në program është ndeshja e kthimit të gjysmëfinales në të cilën kuqezinjtë luajnë si “mysafirë”, ndërsa barazimi 1:1 në ndeshjen e parë (14 mars) detyron që Shkëndija të sulmojë pasi që rezultati i fillimit 0:0 çon Renovën në finale.

Gjithsesi, kjo nuk brengos skuadrën që nuk din të luajë ndryshe veç lojës sulmuese dhe të rralla janë përballjet kur Shkëndija nuk ka shënuar të paktën një gol. Tani kundër Renovës kërkohet fitore, ndërsa kuqezinjtë kalojnë më tej edhe me çdo barazim me dy apo më shumë gola (2:2, 3:3, 4:4,…)., raportohet nga KF Shkëndija. “Kemi atmosferë shumë të mirë në skuadër, posaçërisht pas fitores 5:0 ndaj Renovës. Mendoj se tani do të jetë ndeshje shumë ndryshe nga ajo e të shtunës, Renova do të jetë më e motivuar dhe do të kërkojë shanset e veta. Por nuk do ta kenë lehtë, ne kemi ekip të mirë, kthehen disa lojtar standard dhe mendoj se nëse luajmë në nivel të lartë si luajtëm të shtunën, nuk do të kemi problem dhe do të gjendemi në finale të Kupës” deklaron portieri Kostadin Zahov. Për dallim nga ndeshja kampionale të shtunën kur duhej luajtur me formacion të kombinuar, tani trajneri Osmani ka në dispozicion pjesën më të madhe të futbollistëve.

Kthehen Ibraimi dhe Adili (munguan shkaku i pezullimit), Alimi është rikuperuar plotësisht, ndërsa me grupin dy ditët e fundit ka punuar edhe kapiteni Hasani për aktivizimin e të cilit do të vendoset para fillimit të takimit. Renova-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 15:00. “Skuadra kuqezi me atmosferë të shkëlqyeshme dhe objektiv për të siguruar finalen të mërkurën kundër Renovës kërkon vazhdim të traditës së rezultateve pozitive përballë rivalit nga Xhepçishti. Pason dueli i 39-të mes veti, ndërsa në 38 ndeshjet paraprake kuqezinjtë numërojnë 18-të fitore, 11-të ndeshje kanë përfunduar baras, ndërsa 9-të herë është gëzuar Renova. Xhepçishtasit fitoren e fundit e kanë regjistruar në prill të vitit 2015, ndërsa tanimë tre vite të plota nuk njohin sukses përballë kuqezinjve.

Në 13-të duelet e fundit Shkëndija ka fituar 8-të duele, ndërsa pesë përballje janë mbyllur me barazim. Brenda këtij sezoni dy ekipet kanë luajtur tre ndeshje, në të cilat kuqezinjtë kanë efekt të 100% (fitore 2:0, 6:1 dhe 5:0) me gol diferencë impresive prej 13-të realizimeve dhe vetëm një goli të pranuar. Sa i përket Kupës së Maqedonisë, Shkëndija dhe Renova paraprakisht janë takuar vetëm një herë në vitin 2005. Shkëndija fitoi bindshëm 4:0 ndeshjen e parë në Ohër (terreni në Tetovë ishte i pezulluar), ndërsa në ndeshjen kthyese në Tetovë kuqezinjëve u mjaftoi barazimi 1:1 për të eliminuar rivalin lokal. Të dyja ekipet kanë fituar nga një herë trofeun e Kupës, ndërsa Shkëndija është në kërkim të finales së tretë të njëpasnjëshme dhe të pestën në historinë e klubit”, bëhet e ditur nga Shkëndija.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat