Gianluigi Buffon duhet të tërhiqet nga futbolli në fund të sezonit, sipas legjendës së portës gjermane, Oliver Kahn. Buffon ka gëzuar një karrierë të shquar, duke fituar Kupën e Botës dhe duke arritur në finalen e Kampionatit Europian me Italinë, ndërsa ka në palmaresin e vet disa tituj të Seria A me Juventusin.
Pavarësisht arritjes së tri finaleve, 40-vjeçari nuk e ka fituar kurrë Ligën e Kampionëve. Këtë mesjavë, ai është privuar nga një mundësi tjetër për të kërkuar titullin e shquar, pas eliminimit të skuadrës së tij nga çerekfinalet e këtij sezoni.
Fitorja e bardhezinjve përfundoi në mënyrë të diskutueshme të mërkurën, kur Buffon u dërgua jashtë fushe me karton të kuq, pas protestës për dhënien e një penalltie, duke i lejuar Cristiano Ronaldos të kualifikojë Real Madridin me rezultatin 4-3, në total.
Ndonëse kjo do të thotë se portieri italian do ta përfundojë karrierën e tij pa medaljen e fituesit të Champions-it, Kahn thotë se Buffon ka bërë mjaft për të solidifikuar reputacionin e tij, si një nga më të mirat ndonjëherë.
“Është një pyetje e rëndësishme, nëse ai gjen kohën e duhur për t’i dhënë fund karrierës,– tha ish-ylli i Gjermanisë dhe Bayern Munich për “Bild”. – Mund të ishte tërhequr më parë, nëse nuk do të ishte i shtyrë nga rekorde të reja dhe gjithashtu ëndrra e domosdoshme për të fituar Ligën e Kampionëve. Nëse nuk mund ta hedhë hapin e daljes në pension në kohë, atëherë kjo do ta dëmtojë një ditë.
Philipp Lahm, për shembull, e ka bërë largimin shumë mirë. Për mua, në vitin 2006, pas vendit të tretë në Botëror, ishte shumë e qartë koha që të largohesha nga ekipi kombëtar. Në vitin 2008 mund t’i kisha varur dorëzat, pra mund të luaja edhe për dy apo tri vite, por për çfarë?”