Ibraimi: Shkëndija dominon në çdo aspekt

Futboll

Ibraimi: Shkëndija dominon në çdo aspekt

Nga: Kemajl Goca Më: 13 prill 2018 Në ora: 16:38
Besart Ibraimi

Shkëndija nga Tetova sundon në Kampionatin e Maqedonisë dhe është edhe në finalen e madhe të Kupës. Tetovarët janë të qetë para çdo sfide në kampionat, kur kihet për bazë edhe epërsia e madhe me pikë ndaj vendit të dytë. Kuqezinjtë kryesojnë me 66 pikë apo kanë 18 më shumë se Vardari nga Shkupi. Sulmuesi më i mirë në Maqedoni, Besart Ibraimi, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, ka deklaruar se në këtë edicion dominojnë në të gjitha aspektet. Futbollisti është i lumtur që janë në finalen e madhe të Kupës, ku ndeshen me Pelisterin. E veçanta është se, para se të ndeshen në finale me Pelisterin, gjatë të dielës (me 15 prill) do të luajnë në Manastir me këtë ekip.

“Bota sot”: Besart, Shkëndija sërish në finalen me Pelisterin, a besoni në hakmarrje, kur dihet se vjet humbët me penallti nga kjo skuadër?

Besart Ibraimi: Janë dy histori të ndryshme dhe një situatë kur ne e kemi të qartë çka duam dhe për çka luajmë. Normal se ndjejmë peng për humbjen në finalen e vitit të kaluar, por ajo i takon të së kaluarës dhe tani shikojmë përpara. Kemi dy objektiva këtë sezon, kampionatin dhe Kupën dhe do të bëjmë çmos për të fituar të dy garat. Pra nuk mendojmë fare për hakmarrje, por thjesht për të fituar finalen dhe për të rrëmbyer trofeun, pa marrë parasysh rivalin që do të kemi përballë, në këtë rast qëlloi sërish të jetë Pelisteri.

“Bota sot”: A ishte një rrugëtim i vështirë deri në finale, kur kihet parasysh edhe rivali vendorë, Renova, ishte një pengesë mjaft e madhe?

Besart Ibraimi: Kujtoj që para Renovës ne eliminuam Vardarin dhe këtë po e bëjmë në kuadër të Kupës tanimë tre vite me radhë dhe sipas meje meriton respekt sepse nxirret jashtë garës rivali direkt. Renova tregoi se posedon cilësi dhe na vuri në vështirësi me aq sa mundi, posaçërisht në ndeshjen e parë që u mbyll baras. Por ne duke pasur besim në cilësitë tona i morëm gjërat me qetësi, të bindur se do të jemi të aftë të menaxhojmë gjërat në interesin tonë, që në fakt edhe ndodhi.

“Bota sot”: Dy gola kundër Renovës, vendimtare për kualifikim, po ku ishte çelësi kryesor i kësaj fitore?

Besart Ibraimi: Sukseset e Shkëndijës janë meritë e grupit dhe kështu ndodhi edhe kësaj radhe. Normal ne sulmuesit jemi të angazhuar më shumë për të shënuar dhe më vjen mirë që sërish munda të ndihmoj ekipin me golat e mi. Por kujtoj se katër ditë para ndeshjes së kthimit të Kupës ne mundëm 5:0 Renovën në kampionat në një duel ku munguam disa lojtarë cilësorë përfshirë edhe ‘Bubën’ (Ferhan Hasani) dhe mua që jemi golashënuesit më të mirë të ekipit këtë sezon. Pra grupi edhe aty bëri diferencën dhe ky është çelësi që këtë sezon po dominojmë futbollin vendor në dy garat, si në kampionat ashtu edhe në Kupë.

“Bota sot”: Shkëndija ka siguruar titullin, a e konsideroni se tani e keni me pak presionin dhe krejt fokusin për finalen e Kupës?

Besart Ibraimi: Jo, të jemi të sinqertë ne kemi diferencë të madhe, por deri sa matematika nuk na garanton titullin ne duhet të jemi maksimalisht të përqendruar në punën tonë, normal edhe pasi ta sigurojmë titullin nuk duhet të lirohemi. Ecuria jonë e suksesshme këtë sezon lidhet me faktin që kemi marrë ndeshjet njëra pas tjetrës. Kështu do të jetë deri në fund, pasi mendojmë për çdo ndeshje pasardhëse. Finalja e Kupës tani duhet të presë, do të mendojmë për atë kur të vijë koha, sepse për momentin kemi punë për të bërë në kampionat.

“Bota sot”: Luftë e madhe për epitetin e shënuesit më të mirë. Luftë mes dy shokëve të skuadrës, Ferhan Hasanit – ‘Buba’ që kryeson me 19 gola e Besart Ibrahimit që ka 16. A besoni se do ta kaloni bashkëlojtarin me gola?

Besart Ibraimi: Nuk kisha thënë luftë, por një garë e shëndoshë që për fat të mirë na sheh në krye ‘Bubën’ dhe mua. Ky është një tjetër fakt se Shkëndija dominon në çdo aspekt këtë sezon. Sinqerisht nuk ngarkohemi me atë se kush do të jetë golashënuesi më i mirë i sezonit, pasi të gjithë jemi në shërbim të ekipit dhe nëse në fund realizojmë objektivat, do të nënkuptohet se kemi bërë punën tonë si duhet. Pastaj vijnë çmimet individuale që gjithsesi se janë satisfaksion, por suksesi i ekipit gjithmonë është në radhë të parë.

“Bota sot”: Me 15 prill kundër Pelisterit, në kuadër të ndeshjes kampionale, a është një test për të pa se vërtet kush është ky rival para finales së madhe?

Besart Ibraimi: Mendoj se do të jenë dy ndeshje krejtësisht ndryshe. Të dielën luajmë për pikë kampionale, ku Pelisteri do të jetë në presion të madh të rezultatit duke parë se janë në situatë të vështirë në aspekt të mbijetesës. Ndërkohë finalja është ndeshje kënaqësie, ku askush nuk ka nevojë për motiv shtesë, pasi aty hyn për të dhënë gjithçka nga vetja, për të shijuar momentin dhe për të fituar një takim që mundëson rubmbullaksim të një gare me trofe. Shkëndija hyn për t’i fituar të dyja, por e përsëris duke marrë ndeshjet njëra pas tjetrës. Tani mendojmë vetëm për sfidën e të dielës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat