Zidane, mes Juventusit dhe Bayernit: Çfarë vjedhjeje? Ka “antimadridizëm”

Futboll

Zidane, mes Juventusit dhe Bayernit: Çfarë vjedhjeje? Ka “antimadridizëm”

Më: 14 prill 2018 Në ora: 16:32
Zinedine Zidane

Zinedine Zidane u paraqit në një konferencë shtypi për të analizuar fundin e diskutueshëm të ndeshjes kundër Juventusit, teksa penalltia e diskutuar iu dha të tijve kualifikimin për më tej në Champions. Francezi foli edhe për gjysmëfinalet kundër Bayern Munich dhe ndeshjen e La Liga-s, kundër Málagës, të dielën.

Si përgatitet kjo ndeshje pas një sfide dramatike si ajo e së mërkurës?
Ne duhet ta vendosim veten me këmbë në tokë. Dihej që do të ishte më e vështirë ndaj Juventusit, pasi ndeshjet e Ligës së Kampionëve janë gjithmonë të tilla. Përpjekja ishte e madhe, por kemi rikuperuar mirë fizikisht këto tri ditë dhe them se jemi gati të luajmë një tjetër ndeshje kampionati, madje të bëjmë mirë.

Si i shihni ata thonë se penalltia ishte një grabitje?
Secili mund të thotë nëse ishte penallti apo jo, nuk e diskutoj. Por, kur njerëzit flasin për vjedhje, unë nuk jam në linjë me këtë. Na shqetësojnë shumë njerëzit me atë që bëjnë, por nuk mund t’i ndryshojmë. Unë do të mbroj lojtarët e mi, kemi luajtur një ndeshje të madhe. Kemi merituar të kalojmë në gjysmëfinale, pa asnjë dyshim. Pastaj, asaj që njerëzit mendojnë, nuk i përgjigjem. Jam pak indinjuar me ata që flasin për vjedhje, kur ne punojmë për të arritur në këtë pikë çdo ditë. Vërtet ka njerëz që mendojnë se kemi vjedhur, por unë nuk mund ta pranoj. Nuk duket normale, sepse ishte penallti. Unë nuk e di se për çka po flasim. Juve bëri një ndeshje të shkëlqyer, barazoi rezultatin në total, por arritëm të shënonim dhe ne jemi në gjysmëfinale. Kjo ka qenë shumë, por është kështu.

Si do të pritet James Rodriguez, kur të kthehet në “Bernabeu”?
Si i gjithë Bayern Munich. Ai është një lojtar i mirë, po bën mirë në Gjermani. Mos harroni se luan në një ekip shumë të mirë.

A doni të vendosin gjyqtarët edhe në gjysmëfinale?
Unë nuk mendoj për këto gjëra. Ajo që mendoj është të stërvitemi mirë, me entuziazëm. Askush nuk na e heq dot filozofinë e të bërit sa më mirë të gjërave. Askush, edhe gjyqtarët. Të gjithë bëjnë punën e tyre, edhe gjyqtarët përpiqen për më të mirën. Ne mendojmë pozitivisht, nuk mendojmë se ata duan të na dëmtojnë, duke arbitruar keq. Arbitri do të përpiqet të bëjë punën e tij, si gjithmonë.

Por, a është kjo për shkak të antimadridizmit?
Unë nuk e di, nuk jam përfshirë në këto gjëra. Nuk ka antimadridizëm, por askush nuk do ta ndryshojë atë. Ajo që ju duhet të provojmë është të vazhdojmë me atë që ne dimë të bëjmë mirë. Historinë e këtij klubi askush nuk do ta ndryshojë, askush. Është klubi më i mirë në botë. Kur je më i mirë, normal, do të krijosh pak xhelozi.

A e shihni përballjen me Bayern Munich me disa avantazhe, për shkak të precedenteve?
Jo, aspak. Si gjithmonë, aq më shumë në këtë nivel, ne do të luajmë kundër një skuadre shumë të mirë dhe nuk kemi përparësi për asgjë. Është gjithçka 50-50 dhe ne do ta përgatisim ndeshjen me shumë kujdes. Do të përpiqemi të kalojmë në finale.

Çfarë mendoni për Buffon, Chiellini, Benatia, Pep… Ata flasin për ndihmën e arbitrave ndaj Real Madridit?
Secili mund të thotë atë që mendon. Unë nuk do të kontestoj atë që secili thotë. Ata janë të lirë të shprehen, por ajo që them unë është se nuk mund të flisni për vjedhje. Pjesën tjetër, e kuptoj. Secili e mbron veten.

Buffon ishte shumë i qartë, madje edhe pas dushit, kur mund ta kishte kaluar gjaknxehtësinë…
Ajo që ka thënë është diçka e tij. Ne nuk mund ta ndryshojmë atë, thjesht duhet ta pranojmë. Sikurse e nënvizova më lart, ne meritonim të kualifikoheshim, mendoj. Kjo është ajo që më intereson.

Kur ndeshja ishte 0-3, a mund ta besonit atë që ndodhi?
Natyrisht, unë mendova për këtë. Kjo është bukuria e futbollit. Ndonjëherë të përkëdhel, ndonjëherë të vihet kundër. Ne luajtëm një lojë të mirë. Por, kur nuk shënon, vihesh pak në ankth. Loja ishte ashtu siç ishte, më pëlqejnë emocionet.

A prisni një Bayern hakmarrës dhe më të mirë se vitin e kaluar?
Po, skuadra bavareze është më e mirë këtë vit. Ata do të na e bëjnë jetën shumë të vështirë, ndoshta më shumë se kurrë në këto vite. Me siguri. Bavarezët janë të ngurtë, nuk pësojnë gola, e tregojnë këtë në çdo ndeshje. Luajnë rrjedhshëm dhe janë në dinamikë shumë të mirë, shihet edhe në rezultatet e tyre. Por, nuk më pëlqen fjala “hakmarrje”. Unë nuk mendoj për të kaluarën, vetëm për të tashmen dhe të ardhmen. Sidomos për të tashmen.

Çfarë ndjeni pas kritikave?
Është një turp, kur flasin për vjedhje. Unë jam shumë i zhgënjyer nga ajo që thuhet. Jo për penalltinë, sepse ajo është çështje interpretimi. Për mua ishte dhe arbitri e ka konisderuar të tillë, por vjedhja nuk mund të jetë. Të tilla akuza duhet të ndalen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat