Luftëtari beson te Europa

Futboll

Luftëtari beson te Europa

Më: 16 prill 2018 Në ora: 14:06
Hasan Lika

Në vendin e katërt dhe i projektuar drejt Europës, Luftëtari vazhdon të mahnisë dhe beson në arritjen e objektivit madhor. Fitorja në sfidën direkte me Laçin konfirmoi vazhdimësinë e gjetur, me gjirokastritët që mbeten ekipi me futbollin më ofensiv dhe më të bukur të kampionatit, por që shfaqen edhe konkretë në momentet deçizive.

Meritë të padiskutueshme në këtë ecuri ka trajneri Hasan Lika. Statistikat tregojnë se tekniku 58-vjeçar ka bërë edhe më mirë se Mladen Milinkovic gjatë edicionit të kaluar. Aktualisht Luftëtari ka grumbulluar 44 pikë, kuotë me të cilën mbylli kampionatin e kaluar.

Kësaj i shtohet edhe fakti që Lika mori drejtimin e skuadrës vetëm në javën e shtatë, pas katastrofës me uruguajanët Kurbejo dhe Fernandez, ku debutoi me humbjen e pamerituar në shtëpi përballë Kukësit.

Në atë moment skuadra kishte vetëm 5 pikë pas gjashtë ndeshjeve të para dhe ishte në zonën e rënies nga kategoria. Në 23 javë, Luftëtari grumbulloi 39 pikë. Plot 11 ndeshje pa pësuar humbje mes fazës së dytë dhe asaj të tretë të kampionatit, statistika të shoqëruara me ecurinë me hap pretendenti deri në startin e fazës së katërt të Kategorisë Superiore.

Për më tepër, Luftëtari ruajti tiparet e lojës super-ofensive, por ka gjetur edhe balancat në fazën mbrojtëse, ku ndryshe nga sezoni i kaluar diferenca e golave të shënuar dhe atyre të pësuar është pozitive. Detaje që plotësojnë tablonë e një skuadre, që për gjithçka të paraqitur në këtë kampionat e meriton një biletë për pjesëmarrjen në arenën ndërkombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat