Juventusi - Napoli, sfidë për titull! Milani përqendrohet te Kupa

Futboll

Juventusi - Napoli, sfidë për titull! Milani përqendrohet te Kupa

Më: 20 prill 2018 Në ora: 11:01
Pamje nga një ndeshje

Juventusi +4 pikë para Napolit!  Barazimi i Juves me rezultat 1:1 me Crotone-n, ka trimëruar shumë Napolin, në prag të derbit të madh në Serie A në futboll. Të dielën (me 22 prill, 20.45) në Torino, kampioni në fuqi dhe lideri i kampionatit, Juventusi do të ndeshet me Napolin dhe gjithçka mund të qartësohet apo të komplikohet edhe më shumë lufta për titullin e kampionit. Pas 33 jave Juventusi kryeson me 85 pikë, ka katër më shumë se Napoli në vend të dytë. Trajneri i Napolit, Maurizio Sarri, është i kënaqur me fitoren me rezultat 4:2 ndaj Udineses.

“Ne ishim të interesuar për ta fituar këtë lojë. Zhvilluam në mënyrën më të mirë 25 minutat e para, ku treguam nivel të lartë, pastaj erdhën 10 minuta vakum. U gjendëm në disavantazh, por jam i lumtur sepse pashë se skuadra di të reagojë dhe të luajë me shkëlqim të madh. Sfida e radhës në ‘Allianz Stadium’? Do të jetë vendimtare për titullin. Filozofia jonë si ekip është të përpiqemi të bëjmë gjithmonë më të mirën. Këtë do të synojmë edhe në Torino, ku pa dyshim do të jetë e vështirë kundër një ekipi të fortë dhe në një stadium të vështirë. Ne do të përpiqemi, por ka ende 5 lojëra për t’u luajtur. Ne jemi tani -4 pikë nga Juventusi. Nëse ju mendoni se unë shkoj në shtrat çdo natë duke menduar në lidhje me ndeshjen ndaj Juventusit, e keni gabim. Nuk jam kaq i sëmurë. Mënyra ime e përgatitjes së ndeshjeve është një pasion i ndryshëm”, tha Sarri.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, komenton barazimin (1:1) në konak të Crotone-s. “Na vjen keq që i lamë këto dy pikë rrugës, por në fillim të këtij viti do të kishim kërkuar për të pasur epërsinë e katër pikëve ndaj Napolit në kohën e përplasjes së drejtpërdrejtë. Më vjen keq, sepse ishte një ndeshje për t’u fituar. Goli me gërshërë i Simy? Ai bëri gjënë e duhur, për atë që u pa në fushë. Sidoqoftë, s mbrojtja jonë nuk ka punuar si duhet. Tani, gjëja që duhet të bëjmë është vetëm të jemi të qetë. Ta përgatisim ndeshjen kundër Napolit.  Do të jetë një sfidë e madhe, do të luhet një futboll i madh. Por, pavarësisht se si do të shkojë loja, kampionati nuk do të përfundojë të dielën”, tha Allegri. Nga ana tjetër, ndeshja kundër Torinos përfundimisht e largon Milanin nga ëndrra e kapjes së vendit të katërt nga këtu e deri në fund të sezonit. Milani luajti baras (1:1) me Torinon. Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso, tha për “Sky Sport”: “Ne ishim të lodhur në 20-25 minutat e fundit. Nuk është ndeshja e parë që kemi gjithçka në dorë dhe humbim pikë rrugës, edhe pse të dyja ekipet mund të fitonin.  Ne duhet të kuptojmë se çfarë mund të përmirësojë dhe të fitojmë këto lojëra që na kanë mbetur. Unë mendoj se kur kemi përdorur dy sulmues i kemi dhënë më shumë hapësirë ??kundërshtarit”. 

Milani duket se nuk është më në gjendje të fitojë, por sipas ish-trajnerit të Palermos dhe Pisa-s, skuadra është më e mirë në nivelin e lojës, sesa kur merr tri pikët. “Ne mendojmë lojë pas loje. Ndryshe nga ajo që ju mendoni, ne duhet të ‘shërohemi’ për finalen e Kupës së Italisë dhe sfidat e ‘Europa League’”, tha ai. “Po e përsëris, ne duhet të kuptojmë pse nuk vuajmë deri në fund, por lëmë shumë pikë rrugës, përveç derbit kundër Interit. Mendoj se po luajmë më mirë tani se kur fitonim ndeshjet dy muaj më parë”, ka thënë Gattuso.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat