Rritet nervozizmi te PSG-ja, Neymar përgatit “arratisjen” e tij

Futboll

Rritet nervozizmi te PSG-ja, Neymar përgatit “arratisjen” e tij

Më: 20 prill 2018 Në ora: 14:25
Nasser Al-Khelaifi dhe Neymar

Te PSG-ja, nervozizmi po rritet. Sinjalet që Neymar dërgon nga Brazili nuk ndihmojnë për ta qetësuar ankthin, që ndihet në klubin francez. Ideja se lojtari po përgatitet të largohet nga klubi po konsolidohet gjithnjë e më shumë.

Neymar monopolizoi të gjithë merkaton me protagonizmin e tij verën e kaluar, kur vendosi të largohej nga Barcelona drejt “Parc des Princes”, për t’u bërë transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. PSG-ja pagoi 222 milionë euro për lojtarin, që duhej të bëhej boshti kryesor i klubit dhe ta shtynte ekipin e Parisit drejt një kërcimi cilësor në Europë.

Por, nuk ka qenë kështu. Dëmtimi i pësuar kundër Olympique Marseille, më 25 shkurt, dhe eliminimi i mëvonshëm në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, në duart e Real Madridit, i kanë cunguar plotësisht pritshmëritë te parizienët, të cilët do të përfundojnë si më parë, vetëm dominues të kampionatit vendas.

Mundësia e largimit të Neymar nga klubi po rritet. Dhe jo vetëm për shkak të distancës që ndan Francën nga Brazili, ku lojtari ka vendosur selinë e tij gjatë rimëkëmbjes nga dëmtimi. Sulmuesi e ka kuptuar se ishte gabim transferimi në Paris dhe mund të jetë gati të regjistrojë një verë tjetër të çmendur.

Kur u shfaqën thashethemet rreth të ardhmes së Neymar, pronari i klubit, Nasser Al-Khelaifi, shkoi në “Mangaratiba”, më 13 mars, për ta bindur atë të dalë kundër thashethemeve, që e vendosën sulmuesin jashtë PSG-së. Al-Khelaifi u befasua nga mungesa e ndjeshmërisë së Neymar, kur i tha se do të udhëtonte për ta takuar në Brazil.

Reagimi i futbollistit, thonë burimet, ishte mjaft i thatë. Por, sheiku nga Katari u zhvendos atje, i bindur për rëndësinë e misionit të tij, së bashku me drejtorin sportiv të klubit, Antero Henrique, dhe drejtorin e komunikimit, Jean Martial Ribes.

Nëse kontakti i parë nuk kishte qenë inkurajues, shumë më keq i shkoi Al-Khelaifit, kur u përpoq ta bindë lojtarin që të kthehet menjëherë në Paris, për të shuar thashethemet dhe për t’u riaftësuar atje nga lëndimi. Neymar refuzoi. Ai nuk donte të bashkëpunonte me planin e presidentit të tij.

PSG-ja mori vetëm një deklaratë qetësuese nga babai i lojtarit, i cili tha se djali i tij kishte “një të ardhme te PSG-ja”. Një reagim i papritur për “ambasadorët” e PSG-së, të cilët duhej të përshtateshin me dështimin e misionit të tyre.

Që atëherë, Neymar vazhdon në tokën braziliane, i shkëputur nga Parisi. Por, me një agjendë të zënë josportive, sikurse është regjistruar përmes publikimit të fotografive dhe mesazheve në rrjetet sociale. Edhe një vallëzim me këmbët e tij të shëndetshme, gjatë ditëlindjes së motrës, ka rrjedhur me video, çka ka ngritur pikëpyetje te shërbimet mjekësore të klubit francez.

Po kështu, indiferenca e treguar të dielën e kaluar, kur PSG festoi arritjen e titullit të Ligës, ishte shkatërruese për klubin. Neymar jo vetëm që nuk udhëtoi për në Paris për të festuar me të gjithë stafin, siç do të ishte pritur, por po luante poker online.

Të hënën, pasi përfundoi festa e titullit, ai shkroi një urim për bashkëlojtarët: “Ju përshëndes djema! Allez Paris”. Këtë të mërkurë, mosmarrëveshja u përsërit. Ndërsa PSG-ja kaloi në finalen e Kupës, Neymar ka postuar një video në Instagram, ku shihet duke luajtur poker dhe duke marrë trajtim terapeutik.

Një qëndrim që ka ngritur në Francë një valë kritikash ndaj Neymar dhe që në klub është interpretuar si gjestikulacion para largimit të lojtarit. Pas gjithë kësaj historie është interesi i Real Madridit, me sa duket reciprok në “klanin Neymar”. Të bardhët nuk duan të përballen me PSG-në, sidomos me Al-Khelaifi, sepse e dinë se prapa është familja “Al-Thani”, e cila qeveris Katarin.

Ndërsa kontrata e Neymar nuk ka një klauzolë për përfundimin e saj këtë vit, nëse Real Madridi e do brazilianin, atëherë duhet të negociojë me PSG-në. Një gjë tjetër gjë do të jetë nga 1 shtatori, kur klauzola e blerjes, 222 milionë euro, futet në fuqi si klauzolë shitjeje në Paris.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat