Mohamed Salah gati të prekë historisë, ja sa i nevojitet

Futboll

Mohamed Salah gati të prekë historisë, ja sa i nevojitet

Më: 20 prill 2018 Në ora: 20:38
Mohamed Salah

Mohamed Salah ka shënuar deri tani 30 gola në Premier League, në një vit të paharrueshëm me fanellën e Liverpoolit, i pari për sulmuesin nga Egjipti në “Anfield”. Ai ka arritur disa rekorde në këtë sezon, por tani po luan për t’u bërë golashënuesi më i mirë i historisë në harkun e një sezoni në Premier League. Askush nuk ka shënuar më shumë se 31 gola në një sezon me 38 ndeshje në Premier League, ndërsa rekordi i të gjitha kohërave është 34 gola, por atëherë në elitën e futbollit anglez merrnin pjesë 22 epike dhe çdo ekip luante 42 ndeshje, katër më shumë se sivjet. Më poshtë, mund të mësoni se cilët janë pesë rekordmenët që mund të arrijë Salah në katër ndeshjet e mbetura në Premier League…

Andy Cole, (1993-94) – 34 gola

Në momentin që u rikthye në Premier League, Newcastle shpenzoi 2 milionë funte për të marrë Andy Cole nga Bristol dhe ky ishte një rekord për kohën në klubin e “qymyrxhinjve”. Rezultoi një investim i goditur. Ai shënoi 34 gola në 40 ndeshjet e luajtura në sezonin e parë në Premier League, duke e ndihmuar Newcastlen të ngjitet në vendin e tretë për t’u kualifikuar në Kupën UEFA, këtu përfshihen edhe tre-golëshat kundër Liverpool dhe Coventry. Cole u shpall futbollisti i ri më i mirë i kampionatit dhe u transferua te Manchester United me kërkesë të Alex Ferguson.

Alan Shearer, (1994-95) – 34 gola

Vrapimi me shpejtësi te tifozët duke mbajtur krahët e hapura është festimi tipik me të cilin Shearer u bë i famshëm në të gjithë botën dhe asnjëherë ky festim nuk është parë aq shpesh sa në sezonin 1994-95. Në krah të Chris Sutton, Shearer ndihmoi Blackburnin në një arritje historike duke fituar titullin kampion. Ai u shpall futbollisti më i mirë i Premier League dhe barazoi rekordin e Cole me 34 gola, por atëherë kampionati ishte me 42 ndeshje.

Alan Shearer, (1995-96) – 31 gola

Në mesin e viteve ’90 e gjithë bota e kishte njohur golashënuesin Shearer, i cili kishte shkëlqyer me Blackburn dhe më pas u transferua te Newcastle për shifrën rekord në të gjithë Evropën, 15 milionë funte.. Edhe në veri të Anglisë, ai vazhdoi të bënte atë që dinte më mirë, golat. Këtë herë shënoi 31 gola në një kampionat me 38 ndeshje, rekord…

Cristiano Ronaldo, (2007-08) – 31 gola

Ky ka qenë sezoni që tregoi se Ronaldo, nuk ishte vetëm një futbollist i aftë, por më i miri. Mënyra si filloi të shënonte e ktheu portugezin në një armë të fortë për Manchester United, që fitoi titullin e dytë radhazi. Ai shënoi 13 gola në fazën e parë dhe mori lavdet e të gjithëve, por edhe tifozët mbetën gojë hapur kur “CR7” i dha gaz dhe shënoi 18 gola të tjerë në 19 ndeshjet e fazës së dytë. Ai fitoi “Këpucën e Artë” dhe bindi Real Madridin të investonte për ta marrë në “Bernabeu”.

Luis Suarez, (2013-14) – 31 gola

Suarez e nisi aventurën në Angli me zënka, me sharje raciste dhe kafshime, por sezoni i tij i fundit para se të shkonte te Barcelona ishte i madhërishëm. Uruguaiani shënoi 31 gola, ku nuk do të harrohen kurrë katër golat në fitoren 5:1 ndaj Norwich, dy golat në fitoren 5:0 në fushën e Tottenham dhe golin spektakolar të shënuar në fitoren e madhe 3:0 ndaj Manchester United në “Old Trafford”. Ai u bë futbollisti i parë jo evropian që u shpall futbollisti më i mirë i kampionatit anglez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat