Gashi: Ballkani kërkon Evropën, jo sa për sy e faqe në elitë!

Futboll

Gashi: Ballkani kërkon Evropën, jo sa për sy e faqe në elitë!

Nga: Kemajl Goca Më: 15 maj 2018 Në ora: 10:55
Lojtarët e Ballkanit festojnë fitoren

Ballkani nga Theranda dhe KEK-u nga Kastrioti janë anëtarë të rinj të elitës së futbollit të Kosovës. Një javë para se të bie perdja në Ligën e Parë, KEK-u kryeson me 65 pikë, ka një më shumë se Ballkani në vend të dytë, ndërsa Vushtrria është në pozitën e tretë me 60 sosh. KEK-u e pret me qetësi takimin e fundit kundër Ramiz Sadikut të Prishtinës sikurse edhe Ballkani ndaj Trepçës nga Mitrovica dhe para shikuesve të tyre të kremtojnë rikthimin në elitë pas disa viteve.  Durim Gashi, futbollist i Ballkanit, tha se plotësisht e kanë merituar elitën.

“Na kanë përkrahur të gjithë dhe normal me angazhim maksimal ia kemi arritur objektivat, të cilat i ka pasur skuadra jonë”, tha Gashi. Mesfushori që herë luan në pozitën si sulmues i krahut të djathtë, shprehet se nuk ishte e lehtë rruga që të ngjiten në elitë. “Ishte shumë vështirë sepse konkurrenca ka qenë shumë e madhe, duke e parë Vushtrrinë shumë të përforcuar, por ne me sukses e arritëm Superligën”, tha ai.

Ballkani ka pasur kushtet më të mira se të gjitha ekipet tjera, po ashtu u shquan edhe me lojëra të mira, cilat skuadra ishin më të vështira? “Mendoj se Vushtrria dhe KEK-u ishin skuadrat më të vështira sepse kanë një skuadër me lojtarë cilësor”, përgjigjet futbollisti. Atmosfera e mirë dhe kushtet ideale ishin çelës i këtij suksesit: “Atmosfera është shumë e mirë prej fillimit të sezonit, ka qenë perfekte dhe nuk ka pasur përçarje mes lojtarëve.

Ballkanin tash e tutje e shoh shumë të organizuar sepse presidenti ynë Arsim Kabashi kërkon menjëherë Evropën, jo të jem një ekip sa për sy e faqe në Superligë”. Sa është vështirë të luhet në Ligën e Parë?  “Është vështirë shumë sepse terrenet nuk i plotësojnë kushtet që të zhvillohen ndeshjet, por nuk besoj se do të kthehemi më në Ligën e Parë”, ka thënë mesfushor – sulmuesi i djathtë. Gashi tha se vazhdimisht ishin të motivuar për faktin se presidenti i klubit ka qenë korrekt: “Kushtet e përsosura, me një president si Arsim Kabashi vështirë ta refuzon ofertën, unë besoj se do të jem gjatë në KF Ballkani”. 

Sipas futbollistit, tani duhet të mendojnë vetëm për elitë: “Ballkanit i duhen edhe disa përforcime, por nuk do të kemi nevojë për shumë sepse e kemi një skuadër të fortë”. Sa do të merreni premi për këtë sukses? “Premitë nuk dua t’i ceki, por besoj se do të jetë një premi shumë e madhe sepse kështu na kanë premtuar, se do të jetë premi e madhe”, tregon Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat