Këtë herë askush nuk mund të gabojë. Brenda ose jashtë, në Champions, ose në “Europa League”. Lazio dhe Inter luajnë në “Olimpico” për vendin e katërt të Seria A (2017-2018), një “finale” më vete, me shumë rëndësi. Bardhekaltrit janë përpara shansit për të marrë dy, nga tri rezultatet e mundshme, ndërsa zikaltrit duhet të fitojnë për objektivin e madh.
“Besoj 100% te Liga e Kampionëve, sepse në fillim të sezonit kemi synuar të jemi në këtë pozicion, – theksoi trajneri Spalletti në një konferencë të sotme për shtyp. – Lazio ka avantazhin praktik për të pasur dy nga tri rezultatet, por ne e kemi ndeshjen përpara dhe objektivin në dorë”.
Interi ka shkuar me ndërthurje gjatë gjithë sezonit, por Spalletti beson në ekipin e tij: “Unë them se lojtarët e meritojnë të jenë këtu, në Champions. Kam parë si kanë punuar kësaj jave dhe me sa dashuri flasin për fitoren, pas disfatës së të shtunës”.