Zidane: Gati për finalen e Kievit, kjo është një ndeshje speciale

Futboll

Zidane: Gati për finalen e Kievit, kjo është një ndeshje speciale

Më: 20 maj 2018 Në ora: 11:10
Zinedine Zidane

Barazimi 2-2 ndaj Villareal nuk ka mërzitur aspak trajnerin Zinedine Zidane, që duket se e ka shfrytëzuar ndeshjen e djeshme, të fundit në La Liga për këtë sezon, për të kolauduar skuadrën në prag të finales së Champions League, që “los blancos” do të luajnë ndaj Liverpool, në Kiev. Skuadra madrilene është kampione në fuqi, madje Reali e ka fituar këtë turne në dy edicionet e fundit dhe vjen në këtë finale si favorite.

Trajneri Zidane shprehet se është gati për këtë ndeshje finale edhe pse ka ende disa enigma për të zgjidhur:”Ende nuk e kam përcaktuar në mendjen time formacionin titullar të finales së Champions”, tha trajneri francez.

“Ne jemi gati për këtë ndeshje të fundit në Kiev, një ndeshje speciale për ne. Mund ta konsideroj si ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. La Liga ka përfunduar dhe mezi e kemi pritur këtë takim të fundit. Ne synojmë të fitojmë kudo ku luajmë, por këtë vit ishte e pamundur të fitonim në kampionat, ndaj kjo finale është e rëndësishme për ne”, tha trajneri i Real Madrid.

“Unë nuk jam aspak i kënaqur me ecurinë tonë në La Liga, pasi ishte një sezon i vështirë, sidomos në fillimin e tij, por me kalimin e kohës u përmirësuam. Kemi edhe një ndeshje për të nderuar dhe fituar dhe shoh te skuadra dëshirën për të fituar këtë përballje”, tha Zidane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat