Ilir Daja: Kemi politikat tona, nuk bëjmë lojën e asnjë ekipi tjetër

Futboll

Ilir Daja: Kemi politikat tona, nuk bëjmë lojën e asnjë ekipi tjetër

Më: 22 maj 2018 Në ora: 15:18
Ilir Daja

Skënderbeu do ta mbyllë këtë kampionat me festën e madhe të titullit. Nesër, në Korçë, do të jetë mysafire Vllaznia, e cila ka nevojë jetike për 3 pikët, në mënyrë që të shpresojë edhe te ndonjë “assist” i Partizanit në kryeqytet, për të mbijetuar në Superiore. Pra, në njëfarë mënyre, kuqebardhët e Ilir Dajës kanë në dorë fatin e shkodranëve, me të cilët e kanë pasur “vaj” në të shkuarën e afërt.

Juglindorët, nga ana e tyre, janë sy e veshë nga finalja e Kupës së Shqipërisë, që do ta luajnë ndaj Laçit, ndaj i kanë kursyer titullarët që në momentin kur siguruan matematikisht titullin. Po nesër, çfarë do të bëjnë ndaj Vllaznisë. Përgjigjen e jep Ilir Daja, përmes konferencës për shtyp para javës përmbyllëse të Superiores:

“Kam dëgjuar komentet për paraqitjen tonë në javët e fundit dhe dua të them se nuk luajmë për Vllazninë dhe asnjë ekip tjetër. Thjesht kemi politikat tona. Po ju them që, nëse do ta kishim mbyllur kampionatin që me Kukësin, po e njëjta gjë do të kishte ndodhur.

Do t’u kishim dhënë minutazh lojtarëve të aktivizuar pak gjatë kampionatit, por edhe të rinjve, të ardhur nga Skënderbeu U-19. Ne kemi politikat tona. Jemi pezulluar nga UEFA dhe duhet të menaxhojmë si duhet situatat, qoftë edhe duke u përgatitur për një ndryshim të axhendës.

Në këtë lloj situate, të jeni të sigurtë se ky Skënderbe nuk ka lidhje me atë që mund të jetë dyshuar më përpara. Ky grup lojtarësh është i zhveshur nga rezultati, sepse kampionati është mbyllur. Motivimi nuk është maksimal. Nuk i kërkohet rezultat një ekipi që po riformatohet nga porta deri te sulmi.

Në Gjirokastër luajti Soue, sepse nuk donim t’ia hiqnim të drejtën e finalizimit të asaj që ka bërë gjatë gjithë kampionatit. Pastaj, Skënderbeu nuk u përket vetëm titullarëve, por edhe të rinjve. Kemi për detyrë të realizojmë objektivat primarë, siç ishte titulli kampion, apo kalimi në grupet e Ligës së Europës.

Me shumë kurajë, përtej modestisë, them se bëmë atë që nuk e ka bërë asnjë ekip shqiptar. Duam edhe Kupën e Shqipërisë dhe kemi frikën se lojtarët ndoshta nuk do të kenë ritmin e duhur. Formacioni për nesër? Asnjë nga lojtarët nuk e di se kush do të luajë ndaj Vllaznisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat