Skënderbeu mendjen te Kupa

Futboll

Skënderbeu mendjen te Kupa

Më: 24 maj 2018 Në ora: 10:36
Ilir Daja

Trajneri Ilir Daja fitoi titullin e tretë kampion në Kategorinë Superiore, këtë herë me Skënderbeun, skuadrën që ka dominuar në vitet e fundit kampionatin. Tekniku mori drejtimin e korçarëve në janarin e vitit 2017, duke drejtuar skuadrën drejt suksesit në Europë, kampionat, dhe ndoshta edhe në Kupë, ku do të diskutojë finalen të shtunën me Laçin.

Një titull tërësisht i merituar…
Natyrisht që e kemi merituar plotësisht për atë që kemi dhënë që nga java e parë dhe deri kur e fituam titullin. Kemi punuar mjaft mirë dhe kemi vlerësuar çdo ndeshje, pavarësisht problemeve jashtë fushe, ndaj edhe ia kemi dalë të festojmë me meritë.  

Çfarë i ka shtuar Daja Skënderbeut?
Unë mendoj se bashkëpunimi është çelësi i suksesit. Meritë ka pa diskutim presidenti, që ka investuar për të ndërtuar jo vetëm një skuadër të fortë, por edhe një shoqëri të fortë, me struktura mjaft solide. Gjithashtu edhe lojtarët kanë qenë profesionistë të vërtetë, duke dhënë më të mirën në fushën e lojës dhe duke marrë përgjegjësitë. Jo më kot arritëm të ecim edhe në Europë, ndërsa vendosëm edhe një rekord, duke mos humbur në shtëpi për më tepër se një vit, deri në ndeshjen me Kukësin para pak javësh.

Cili është lojtari për trajnerin?
Ka disa në fakt, por e kam të vështirë të veçoj emra, pasi të gjithë liderët e skuadrës kanë marrë përgjegjësitë në fushë, për të dhënë më të mirën.

Vllaznia ka rënë në Kategorinë e Parë…
Kushdo që merret me futboll, qoftë edhe si tifoz i thjeshtë, ndjen keqardhje që shikon Vllazninë të bjerë në kategorinë e Parë. Po flasim për djepin e futbollit shqiptar, por shpresojmë që ky vit negativ t’i shërbejë për t’u rikthyer shumë më e fortë dhe për të nxjerrë mësime nga kjo eksperiencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat