Ferizaj senzacion, futet në elitë dhe rrëzon Vëllaznimin!

Futboll

Ferizaj senzacion, futet në elitë dhe rrëzon Vëllaznimin!

Nga: Kemajl Goca Më: 24 maj 2018 Në ora: 18:50
KF Ferizaj

Ndeshja mes Vëllaznimit nga Gjakova dhe Ferizajt nuk pati gola (0:0) për 120 minuta, por penalltitë përcaktuan skuadrën që do të garojë në elitën e futbollit. Ferizajt pas një viti rikthehet në elitën e futbollit, ndërsa Vëllaznimi bie nga shoqëria e më të mirëve. Ferizaj triumfoi me penallti me rezultat 3:2, pasi që takimi në kohën e rregullt përfundoi pa gola (0:0), po ashtu edhe pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta nuk pati ndryshim të rezultatit në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.  Por më i merituari që Ferizaj u rikthye në elitë, është portieri Armend Blakçori, i cili i mbrojti tri penallti të futbollistëve gjakovarë.

Trajneri i Ferizajt, Bylbyl Sokoli është sikurse në qiellin e shtatë, sepse me skuadrën e Ferizajt janë anëtar të elitës, kurse për trajnerin Gani Sejdiu është goditje e rëndë, pasi që Vëllaznimi në barazh humbë statusin elitë.  Pjesa e parë ishte më e mirë për gjakovarët por edhe ato pak raste të krijuara nuk arritën t’i shndërrojnë në gol. Në anën tjetër, në pjesën e dytë më konkret ishin ferizajasit, të cilët krahas kujdesit të madh në mbrojtje u shfaqën kërcënues edhe në sulm, por pa arritur të gjejnë golin. Në vazhdimet dy herë nga 15 minuta të dyja ekipet ishin tejet të kujdesshme dhe kësisoj gjithçka rreth fatit të skuadrës që do të luante në Superligë u vendos në serinë e penalltive.

Në dy gjuajtjet e para portieri i Vëllaznimit, Altik Muhaxhiri u tregua mjaft i suksesshëm, duke pritur gjuajtjet e Burim Shabanit dhe Erdin Hashanit, mirëpo në gjuajtjet e tjera hero i Ferizajt ishte portieri Armend Blakçori, i cili priti gjuajtjet e Tun Bardhokut, Richard Asares dhe Besnik Krasniqi, duke ia siguruar skuadrës së tij ngjitjen në Superligë dhe duke e detyruar Vëllaznimin që në edicionin e ri të luajë në një rang më të ulët të garave. Pas dy penalltive të humbura nga Burim Shabani e Erdin Hashani, te ferizajasit nuk gabuan Dardan Çerkini, Florim Berisha e Fillim Guraziu.

Te Vëllaznimi shënuan vetëm Lek Vula e Burim Qorri derisa dështuan Tun Bardhoku, Richard Asare dhe Besnik Krasniqi. Duhet theksuar se Vëllaznimi kishte zënë vendin e nëntë me 44 pikë në elitë, kurse Ferizaj kishe përfunduar në pozitën e katërt me 51 pikë në Ligën e Parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat