Zidane dhe Klopp; rrugë të ndryshme – finale e njëjtë

Futboll

Zidane dhe Klopp; rrugë të ndryshme – finale e njëjtë

Më: 25 maj 2018 Në ora: 13:56
Zinedine Zidane dhe Jurgen Klopp

Nuk ka pasur “rrugë unaze” për Zinedine Zidane. Legjendë si futbollist, peshë e rëndë te Juventusi, Real Madridi dhe kombëtarja e Francës. Kampion i të gjithë “rripave” të mundshëm. Një nga më të mëdhenjtë, që e filloi edhe karrierën si trajner nga dera e madhe, jo nga dritarja, duke fituar një Champions vetëm gjashtë muaj pas “kostumit dhe kravatës” se re, në stolin e Real Madridit.

Në anën tjetër të ringut, Jurgen Klopp. Meritë e “peshës së vogël”, teksa kushtet e tij nuk e lejuan të ngjitej në ringjet e mëdha në kohën te Mainz. Gjermania humbi një futbollist, por fitoi një trajner. Klopp do të luftonte në të gjitha mënyrat e mundshme për të arritur në krye si trajner. Dhe Borussia Dortmund ishte vendi, ku ai goditi me “rripin e rëndë”, që mund t’i mvishet rrez brezit edhe me Liverpool-in historik.

Të dy, Zidane dhe Klopp, kanë ecur në rrugë shumë të ndryshme për të arritur të njëjtin fund (finale). Atë që e dëshirojnë të gjithë. Atë që të gjithë e ëndërrojnë. Finalja e Ligës së Kampionëve. Finalja e Kievit do të jetë, përveç kësaj, hera e parë në të cilën ata përballen pas tri dekadash në futboll.

Një gjeni dhe… një “punonjës”. Zidane ishte një arkitekt i lojës, kur luante vetë. Më i miri i kohës së tij. Spikati në Itali, fitoi me Juventusin. Prej aty u transferua si galaktik në “Bernabeu”, ku fitoi gjithçka. Me këmbët e tij e çoi kombëtaren e Francës në fitimin e Botërorit 1998, veç të tjerash. Një legjendë historike e veçantë.

Klopp nënshkroi një karrierë modeste te Mainz si futbollist. Luajti përpara mbrojtjes, u bë një klasiku i dytë gjerman dhe filloi të ndërtojë trajnerin e jashtëzakonshëm, që është tani. Ai gjithmonë e pranon se futbolli i tij “nuk lejon më shumë”.

Klopp i vari këpucët në gozhdë në vitin 2001 dhe filloi të drejtojë direkt si trajner Mainzin. Pastaj shpalosi tërë arsenalin e vet në trajning te Borussia Dortmund, deri në rekordin e tij, duke sfiduar gjigandët e Bundesligës, Bayern Munich, për titullin kampion dhe më tej humbja ndaj bavarezëve e një finaleje të Ligës së Kampionëve.

Pikërisht, në këtë turne (Champions), Zidane si trajner i Real Madridit u kurorëzua vetëm gjashtë muaj pas marrjes së frenave në ”Bernabeu”. Francezi kishte qenë këshilltar dhe ndihmëstrajner i Ancelottit në stolin e madrilenëve dhe trajner i parë te Castilla. Një vit më vonë ishte i pari, për ta përsëritur këtë titull. Nesër mund të jetë i vetmi në histori, për të fituar tre Champions radhazi.

Zidane nuk e di se çfarë është të humbasësh një finale Champions-i. Ai ka fituar Ligën e Kampionëve, Superkupën Europiane dhe Botërorin e Klubeve. Janë tetë tituj në më pak se tri vite, një rekord në stolin e “Los Blancos”. Për Jurgen, nga ana tjetër, finalet janë një traumë. Ai humbi finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2013 me bavarezët në Londër dhe ra tri vite më vonë në Ligën e Europës, kundër Sevilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat