Kongresi i FIFA-s nderon presidentin Vokrri me një minutë heshtje

Futboll

Kongresi i FIFA-s nderon presidentin Vokrri me një minutë heshtje

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 09:44
Kongresi i 68-të i FIFA-s në Moskë

Sot në mëngjes ka filluar Kongresi i 68-të i FIFA-s në Moskë.

Në punimet e këtij kongresi ishte planifikuar të merrte pjesë edhe presidenti tashmë i ndjerë i FFK-së, Fadil Vokrri, së bashku me zëvendëspresidentin, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu.

Megjithatë, në mëngjesin e së shtunës papritmas ndali së rrahuri zemra e presidentin Fadil Vokrri, duke lënë të pikëlluar një komb të tërë dhe njëherësh duke e lënë në gjysmë projektin e tij për zhvillimin e hovshëm të futbollit kosovar, por edhe duke e pamundësuar pjesëmarrjen e tij në Kongresin e FIFA-s në Moskë.

Mirëpo, presidenti Vokrri nuk është në mesin tonë vetëm fizikisht, pasi gjithmonë do të jetë i pranishëm në mendjet dhe zemrat e të gjithë atyre që kontribuuan dhe do të vazhdojnë rrugëtimin e tij për zhvillim të mëtejmë të futbollit të Kosovës, si dhe do të jetë udhërrëfyes për të ardhmen e ndritur.

Në Moskë presidenti Vokrri nuk ishte fizikisht, por jeta dhe vepra e tij u nderua me një minutë heshtje në fillim të punimeve të Kongresit të FIFA-s, duke lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë e shtëpisë së futbollit botëror.

Të rikujtojmë se në punimet e Kongresit të FIFA-s, Kosova po përfaqësohet nga zëvendëspresidenti Agim Ademi dhe nga menaxheri Bajram Shala, kurse si pikë kryesore e këtij kongresi do të jetë votimi për nikoqirin e Botërorit 2026, e ku janë dy kandidatura, ajo e Marokut dhe kandidatura e përbashkët SHBA-Kanadë-Meksikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat