Latifi: I madh Zvone Boban kur tha për Fadil Vokrrin...

Futboll

Latifi: I madh Zvone Boban kur tha për Fadil Vokrrin...

Nga: K. Goca Më: 13 qershor 2018 Në ora: 19:22
Fadil Vokrri

Analisti i futbollit, Driton Latifi, shpreh emocionet e tija të pakufishme për legjendën e futbollit, të ndjerin Fadil Vokrri. Fadil Vokrri është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në shqiptari dhe që la pas vetes vepra të mëdha, të papërsëritshme.

“Ka disa ditë që mendohem nëse mund të shkruaj edhe unë ndonjë fjalë për ma të madhin tonë te sportit me popullor në botë, por nuk po mundem, vazhdoj të kam një mendim se ndoshta ky ankth po përfundon dhe ta shoh sërish fytyrën e buzëqeshjen e tij. Atë buzëqeshje që e nxirrte sa herë ndjehej i gatshëm për batuta dhe bindje se e kishim gabim, fort kënaqej me këto gjera e sidomos me atë fjalën magjike ‘çka të kam thënë?’, para se ti kthehej seriozitetit në muhabet. E pres ende ta shoh me supet e ngrita e të ngre duart gjysmë të thyera me atë “eh” që e nxirrte sa herë na kapte në ofsajd.

Ndonjë info rreth ngjarjeve në vazhdimësi, batuta të ëmbla me politikan, vendor e te huaj, njerëz rreth Federatës, kundërshtarët qesharak i jepnin fort shllag bisedave.

Me pamje nuk ndryshoi asnjëherë, ecjen me këmbën e djathtë me të thyer në hap e kishte nga futbolli, i cili i kishte dhënë aq shumë goditje derisa ne po kënaqeshim me magjitë e tij mes shtyllave të stadiumeve.

Me shumë krenari ishte përfaqësues edhe i personalitetit të shqiptarit të Kosovës, kryelartë, që respektonte të gjithë dhe që zbriste për të ndihmuar këdo që kishte nevojë në rrugë.

Kur fliste për pranimin në UEFA e FIFA, ia kujtoja statutet se nuk mund të ndryshojnë si po mendonte. “Uo Driton, uo Driton po krejt çka është shkru edhe mund të përmirësohet. Mbaje mend krejt përmirësohet”, insistonte se pranimi po ndodh.

Veç gëzimit që i fali sa e sa gjeneratave, në këto 40 vite të fundit, ai hapi perspektivën e pafund për një rini që nuk ka tani nevojë të ëndërrojë mjafton të punojnë dhe të kërkojnë shansin, sepse atë shansin ua dha ai.

Shumë herë nuk pajtohesha dhe ia thosha hapur, kur nuk pajtoheshim debati përfundonte me një dribling të tij: “lapsin e ki shkruaj pra”, kjo ishte fishkëllima e fundit dhe sikur me gol të pësuar nga ai në minutat shtesë humbjen e kisha të garantuar.

Modestia ishte arma e tij më e madhe, ai kishte dhënë shumë herë provimin e kualitetit si lojtar, sportist, njeri e humanist. Prandaj bëri që kudo të paraqitet me kauzën e Kosovës të bënte edhe kundërshtarët edhe armiqtë të ngushtohen para tij, për padrejtësitë që i përjetonim.

Fadil, duket se këtë herë ai lapsi të cilin ma përmende gjithë jetën këtë herë po me tradhton, nuk mund të gjen fjalë i shkreti as të jetë i përkrahur nga truri, sepse këtë temë që po ndodh nuk po e pranon aspak, duket joreale. Shumë të quajtën mjeshtër disa lider, por për mua mbetesh një FITUES i përjetshëm, fitues i futbollit tone.

I madh Zvone Boban tha shpresoj një ditë të luajmë sërish futboll, unë them të kem rastin të shkruaj për ju.

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, që kurrë se harrove”, shkruan Driton Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat