Nis derbi i Manchesterit për sulmuesin e kombëtares franceze

Futboll

Nis derbi i Manchesterit për sulmuesin e kombëtares franceze

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 10:03
Kylian Mbappe

Manchester United dhe Manchester City do të nisin këtë verë një betejë të fortë, jo në fushë por në merkato, për të marrë sulmuesin 19-vjeçar të PSG-së, Kylian Mbappe. Lajmin e ka konfirmuar sot e përdirtshmja britanike “The Mirror”, sipas së cilës trajnerët e dy ekipeve të Manchesterit kanë kontaktuar personalisht sulmuesin e kombëtares franceze, për ta marrë në ekipin e tyre. Në garë për Mbappe mbetet edhe skuadra e Real Madrid, por që duket një hap pas dy ekipeve britanike.

Verën e kaluar, Mbappe u transferua nga Monaco te PSG për vlerën e 180 milionë eurove, por këtë vit kjo shumë mund të jetë edhe më e lartë në rast se 19-vjeçari vendos të ndryshojë sërish skuadër. United po e monitoron nga afër situatën, ashtu sikurse edhe City, që janë gati të bëjnë ofertën më të mirë për ta marrë lojtarin e talentuar. Nga ana tjetër edhe PSG ka nevojë që të shesë për të ruajtur “fair play financiar”, për të evituar dënime nga UEFA.

Mbappe u bë futbollisti më i ri francez që realizon në një Botëror dhe Guardiola kërkon që ta sjellë te skuadra e tij, për të qenë e suksesshme edhe në Europë pasi dominoi sezonin e kaluar në Premier League. Ndërsa United kërkon që në transferimin e Mbappe të fusë edhe Martial, për ta rikthyer në Francë, duke qenë se nuk bën më pjesë në skemat e Mourinho. Gjithsesi, këtë verë pritet që të nisë një ankand i vërtetë për Kylian Mbappe, ku do të fitojë oferta më e mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat