Drita, gati për Malmon

Futboll

Drita, gati për Malmon

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 17:00
Presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi, ka pritur sot në zyrën e tij, drejtorin e përgjithshëm të KF “Drita”, Feti Murseli

Presidenti i FFK-së, z. Agim Ademi, ka pritur sot në zyrën e tij, drejtorin e përgjithshëm të KF “Drita”, Feti Murseli. Ky i fundit në emër të kryesisë së KF “Drita”, e uroi presidentin Ademi për mandatin katërvjeçar në krye të FFK-së, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Ai vlerësoi se Ademi është njeriu më i duhur për ta drejtuar futbollin kosovar në këtë periudhë dhe për t’i vazhduar projektet në zhvillimin dhe përparimin e futbollit kosovar, duke pasur parasysh se ka qenë për gati dy dekata në pozitën e zëvendëspresidentit dhe vazhdimisht ishte krahu i djathtë i presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri. Ndërkaq, presidenti Ademi e falënderoi z.Murseli dhe në përgjithësi kryesinë e KF “Drita” për mbështetjen e ofruar, derisa e uroi edhe një herë klubin gjilanas për suksesin e arritur në rrethin parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Tutje, presidenti Ademi, theksoi se paraqitja dinjitoze e KF“Drita” në garat evropiane ka bërë që të rriten edhe vlerësimet për futbollin e Kosovës, teksa u shpreh i bindur se skuadra e Dritës do t’i dëshmojë vlerat e saj të lojës së futbollit dhe të ‘fair-play’-it edhe në ndeshjen e nesërme kundër Malmos në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, që zhvillohet në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat