Gashi: Ndeshja testuese në stadium e Prishtinës më 28 korrik

Futboll

Gashi: Ndeshja testuese në stadium e Prishtinës më 28 korrik

Më: 10 korrik 2018 Në ora: 13:15
Gashi: Ndeshja testuese në stadium e Prishtinës më 28 korrik

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, ka vizituar Federatën e Futbollit të Kosovës, ku është takuar me kryetarin e ri, Agim Ademi, i cili u zgjodh në krye të institucionit kryesor të futbollit në vendin tonë, pas vdekjes së ish-kryetarit Fadil Vokrri.

Ministri Gashi, ka uruar Agim Ademin për pozitën e kryetarit të FFK-së, derisa i ofroi vazhdim të përkrahjes nga ministria që drejton.

Ministri Gashi tha se kuvendi zgjedhor ka qenë unik për të vazhduar punën e ish-kryetarit të ndjerë Fadil Vokrrit.

“Jemi këtu për të uruar kryetarin Ademi për zgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Një konsistencë e punës të madhe që ka bërë kryetari i ndjerë Fadil Vokrri. Ajo që është shumë me rëndësi jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe i lumtur që delegatët që kanë marrë pjesë në kuvendin zgjedhor e që kanë qenë jashtëzakonisht unik dhe të përgjegjshëm për të vazhduar punën e madhe që kishte nisur kryetari i ndjerë Vokrri dhe sot jam këtu për ta rikonfirmuar mbështetjen e Ministrisë së Sportit dhe Qeverisë së Kosovës për FFK-në dhe të gjithë futbollistët”, tha ministri. 

Image

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, tha se i ofroi ministrit transparencë dhe bashkëpunim, “Ministri rikonfirmoi edhe njëherë përkrahjen e ministrisë dhe që do të vazhdojë bashkëpunimi. Ne i ofruam ministrit transparencë bashkëpunim të vazhdueshëm. E falënderuam për projektet, nderin dhe respektin që i është bërë Fadil Vokrrit”.

Ndërkaq, në vazhdën e kësaj vizite Ministri Gashi e kryetari Ademi kanë inspektuar punimet finale në Stadiumin e Prishtinës.

“Çdo ditë e imja e punës, çdo orë ka qenë pjesë e përkushtimin për finalizimin e këtij projekti kapital që është për futbollin në Kosovë”, ka thënë me këtë rast ministri, duke e bërë të ditur se kanë mbetur edhe disa ditë deri në përfundimin e punimeve në stadium. 

Image

“I falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët të cilët janë marrë me këtë projekt, punëtorët, kolegët, po ashtu edhe Federatën e Futbollit dhe gjithë inspektorët e UEFA-së. Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për sportin e Kosovës për futbollin në veçanti, që më në fund po arrijmë që të dorëzojmë një prej stadiumeve me të bukura në rajon falë investimit të madh rreth 9 milion euro që e ka bërë Ministria e Sportit. Ne e kemi konsideruar si një prej projekteve më të mëdha kapitale. Uroj që gjithçka të shkojë mbarë brenda këtyre dy jave”, është shprehur Gashi.

Ministri Gashi tha se “jo vetëm që pritet por ka qenë punë e jona ditore ekipore e ministrisë, federatës dhe kompanisë për të arritur atë qëllim, nuk ka më dilema, lojërat do të luhen këtu. Lojën e parë testuese do ta kemi me datën 28, para kësaj date ndoshta do ta kemi edhe një ndeshje miqësore testuese mes Federatës, artistëve e politikanëve dhe pastaj ta inaugurojmë që të jetë i gatshëm për zhvillimin e lojërave”.

Ministri Gashi foli edhe për emrin dhe pronësinë e stadiumit. “Ju e dini që stadiumi është në pronësi të komunës edhe vendimin për vendosjen e emrit të Fadil Vokrrit e merr gjithashtu Kuvendi Komunal i Prishtinës. Të gjithë kemi propozuar dhe jemi dakorduar që ta mbajë emrin Fadil Vokrri dhe kemi pajtueshmëri edhe nga kryetari i komunës dhe lidershipi komunal që ta mbajë emrin e Vokrrit”.

Ndërsa edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, tha se ndeshjet do të fillojnë nga muaji shtator.

“Sipas planeve dhe punëve që janë bërë është vetëm përfundimi, gjërat janë vetëm në montim dhe shpresoj dhe besoj që do t’i fillojmë ndeshjet që nga shtatori me ekipin nacional A dhe klubet”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat