Durmishi: Prishtina t’i tregojë cilësitë në Luksemburg

Futboll

Durmishi: Prishtina t’i tregojë cilësitë në Luksemburg

Nga: Kemajl Goca Më: 10 korrik 2018 Në ora: 16:20
Durmishi: Prishtina t’i tregojë cilësitë në Luksemburg

Skuadra më e trofeshme në vendin tonë, Prishtina mëton rezultat pozitiv në stadiumin “Stade Emile Mayrisch” në Esch-sur-Alzette të Luksemburgut, kundër Fola Esch, në ndeshjen e parë të eliminatorëve për Europa League. Kryetrajneri Mirel Josa sado kudo ka njohuri për ekipin nga Luksemburgu dhe do të orvaten me lojë të fortë t’i kundërvihen atyre. 

Ballafaqimi Fola – Prishtina luhet nesër (18.00) dhe pritet të jetë e luftuar deri në pikën e fundit. Prishtina ka kaluar një rreth, për faktin se ka eliminuar skuadrën nga Gjibraltari, FC Europa, me rezultat të përgjithshëm 6:1 (sfida e parë në Gjibraltar përfundoi 1:1 dhe ajo e kthimit në Mitrovicë 5:0 për Prishtinën). Zëdhënësi i klubit të Prishtinës, Avni Durmishi, tha se atmosfera është shumë mirë para sfidës së madhe.

“Në fakt jemi në Livange në mes të qytetit të Luksemburgut dhe Esch-it, në një hotel shumë të qetë për futbollistët, rreth 20 minuta larg stadiumit. Pritja ka qenë normale, sepse si pritje nuk ka nevojë sepse gjithçka e aranzhojmë vetë, por ka pasur takime të zakonshme ndërmjet zyrtarëve të dy klubeve për t’u njohur me agjendën tonë dhe kështu me rrallë.

Atmosfera është normale, futbollistët janë të vetëdijshëm që s’kemi të bëjmë me kundërshtar të lehtë dhe krejt çfarë duhet është që sa më të qetë dhe të përqendruar të hyjnë në ndeshje dhe t’i tregojnë cilësitë që kanë”, thotë për gazetën kombëtare “Bota sot”, Durmishi. 

Fituesi i Kupës së Kosovës është në formë të mirë dhe me optimizëm e presim sfidën me Fola-n. Çfarë është interesimi nga tifozët, ka edhe shqiptarë? “Në fakt në Luksemburg nuk ka shumë shqiptar dhe edhe pse Gjermania, vendi ku sidomos ka shqiptar, nuk është larg, por koha e zhvillimit të ndeshjes (18:00) ndoshta do të bëjë që mos të ketë me shumicë adhurues tanë, por se do të ketë, padyshim se do të ketë, për çka paraprakisht i falënderojmë dhe pse jo iu bëjmë thirrje të vijnë të na përkrahin në numër sa më të madh të mundshëm”, thotë Durmishi.

Bardhekaltrit pretendojnë rezultat sa më të mirë, që të jenë me të qetë për sfidën e kthimit pas një javë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Sipas Durmishit, gjithçka po shkon  në bazë të planit dhe shpreson në një ditë të mirë të djelmoshave të Prishtinës.  

Lista e futbollistëve të Prishtinës:

Portierë: Visar Bekaj, Alban Muqiqi; mbrojtës të djathtë: Armend Thaqi, Përparim OsmanI, Lorik Maxhuni; mbrojtës të majtë: Jamal Arago, Abdul Bashiru; mbrojtës qendror: Armend Dallku, Ahmet Haliti, Debatik Curri, Leotrim Bekteshi; mesfushorë: Argjend Mustafa, Ergyn Ahmeti, Lorik Boshnjaku, Mërgim Pefqeli, Meriton Korenica, Qendrim Zyba, Gauthier Mankenda; sulmues: Ahmed Januzi, Basit Abdul Khalid, Alen Jasharoski, Arbër Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat