Ronaldo: Dua t’i tregoj italianëve nivelin tim

Futboll

Ronaldo: Dua t’i tregoj italianëve nivelin tim

Më: 16 korrik 2018 Në ora: 18:58
Ronaldo: Dua t’i tregoj italianëve nivelin tim

Futbollisti më i mirë në botë, Cristiano Ronaldo, prezantohet te kampioni italian, Juventusi.  Ylli portugez është pritur në mënyrë madhështore dhe ka synime të jashtëzakonshme me “Zonjën e Vjetër”. Ai pas sa vjetësh largohet nga Real Madridi, me të cilën skuadër katër herë ka fituar Champions League (tri herë rresht), në konferencën për shtyp tregon se për se e zgjodhi Juven:  “Pyetje e lehtë për të dhënë përgjigje. Juventusi është një nga klubet më të mirë në botë.

Miqtë dhe kolegët e mi më thanë se është një klub ku mund të luaja. Duke parë madhësinë e këtij klubi, është një klub shumë i madh. Nuk ishte një vendim i vështirë për ta marrë”, tha Ronaldo.  Ai e pranon se gjithmonë i kanë pëlqyer sfidat: “Unë jam një person që pëlqen të mendoj për të tashmen. Jam ende i ri dhe gjithmonë më kanë pëlqyer sfidat, që nga Sportingu, te Manchester Utd dhe tani tek Juventusi. Kjo është një sfidë, dhe tani jam i mirë përgatitur”. Tifozët e Realit janë të mërzitur, mesazhi yt për ta? “Historia e Realit është brilante. Falënderoj tifozët, por tani dua të shoh drejt kësaj faze të re në jetën time.

Me zor po pres të luaj me Juven. Jam shumë i motivuar dhe dua t’i tregoj italianëve nivelin tim. Dua të lë shenjë në historinë e Juventusit. Jam shumë i lumtur për këtë sfidë”. Sa i përket Serie A, tha: “Një kampionat shumë i vështirë, dhe shumë taktik. Karriera ime nuk ka pasur ndonjë gjë të lehtë, dhe mua nuk më pëlqen kur i kam gjërat e lehta. Kam shumë besim tek vetja, tek shokët e ekipit dhe tek klubi”. Juve ka vite që synon Champions League, por dot nuk e arrin, ndërsa Ronaldo është optimistë. “Është një trofe që të gjithë duan ta fitojnë, por është shumë e vështirë. Juventusi u afrua ta fitonte, por në fund finalet janë gjithmonë të paparashikueshme. Për këtë, shpresoj t’i sjell fat. Do luftojmë të gjithë për trofetë”, shprehet pesë herë fituesi i “Topit të Artë”.  

Ai flet  për ‘Topin e Artë: “Juventusi më ka dhënë një mundësi të madhe. Është një hap përpara në karrierën time. Nuk është koincidencë që ka fituar 7 titujt e fundit në Itali. Ndihem i nderuar që Juvja mendoi të më merrte mua. Dhe dua ta çoj në nivel edhe më të lartë. ‘Topi i Artë’ nuk është diçka që e kam në plan të parë. Gjithmonë dua të fitoj dhe të jem më i miri. Nëse gjërat shkojnë mirë, sigurisht që do kem rast ta fitoj. Por, nuk është diçka aq e rëndësishme sa më lë pa gjumë".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat