Fundi rrugëtimit historik të Dritës në Ligën e Kampionëve, mundet përsëri nga Malmo

Futboll

Fundi rrugëtimit historik të Dritës në Ligën e Kampionëve, mundet përsëri nga Malmo

Më: 17 korrik 2018 Në ora: 19:58
Foto nga ndeshja

Kampionia e Kosovës Drita është eliminuar në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve pasi u mposht 2-0 në ndeshjen e kthimit nga Malmo të martën, megjithatë tani do të bëjë gara në kualifikimet për një garë të nivelit më të ulët, Evropa Ligë.

Drita, e cila bëri arritje historike duke arritur në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ishte mysafire e Malmos në Suedi të martën dhe u eliminua me rezultat të përgjithshëm 5-0 pas dy ndeshjeve, pasi ndeshjen e parë në shtëpi e humbi 3-0.

Klubi nga Gjilani ia doli mbarë ta ndalte klubin suedezen në pjesë e parë. Sulmuesi Neziraj pati një rast shumë të mirë qysh në fillim të takimit, por goditja e tij nga afërsia përfundoi larg portës.

Drita pati një gjysmërast katër minuta më pas, me Shalën që nuk e qëlloi cakun pas harkimit nga Shabani. Tentimi i parë në gol i Malmos erdhi në minutën e 12-të. Rasti më i mirë i vendasve erdhi në minutën e 35, por goditja e Srandberg u bllokua nga Bakaj i Dritës.

Malmo e nisi furishëm pjesën e dytë me Adrian që e goditi shtyllën. Por, nuk vonoi shumë dhe në minutën e 55-të Strandberg realizoi nga afërsia duke e devijuar goditjen e bashkëlojtarit të vet, Adrian.

Dominimi i madh i Malmos u shpërblye edhe një herë kur akrepat shënuan një orë lojë, pasi Larsson shënoi me një goditje të fortë nga largësia.

Këtu i erdhi edhe fundi i rrugëtimit të klubit gjilanas në kualifikimet për garën më të madhe evropiane për klube.

Drita e fitoi rundin preliminar për Ligën e Kampionëve – i cili debuton për herë të parë këtë sezon dhe në të cilin luftuan vetëm katër skuadra, kampionet e vendeve të renditura më së ulëti nga UEFA.

Në gjysmëfinale Drita e mposhti Santa Coloman, ndërsa në finale skuadrën e Lincoln, duke e siguruar kualifikimin në rundin e parë kualifikues, ku u eliminua sot nga Malmo.

Megjithatë, Drita do të vazhdojë kualifikimet në garat evropiane, në Evropa Ligë më konkretisht, ku për kundërshtar do ta ketë fituesin e duelit F91 Dudelange vs Videoton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat