Gega, pas eliminimit: Jam shumë optimist për të ardhmen e këtij Partizani

Futboll

Gega, pas eliminimit: Jam shumë optimist për të ardhmen e këtij Partizani

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 09:28
Skënder Gega

Partizani u eliminua që në turin e parë kualifikues të Ligës së Europës, me dy humbje ndaj sllovenëve të Mariborit. Trajneri Skënder Gega, duke analizuar ndeshjen e kthimit, që të tijtë e humbën 2-0, ka nënvizuar ndër të tjera: “E deklarova që në fillim, se do të ishte shumë e vështirë për ne. Kishim përballë një skuadër mjaft të mirë. Ne kemi punuar shumë përgjatë kësaj periudhe, por e dinim që nuk do të ishte e lehtë, pas rezultatit që rregjistruam në sfidën e parë.

Kemi akoma shumë punë për të bërë me skuadrën. Jam shumë optimist për të ardhmen e këtij Partizani. Ndihem shumë krenar për lojtarët e mi. Do të dëshiroja që t’i bënim edhe të tjerët krenarë, por ky është futbolli. Ndeshja e parë me të dytën mendoj se ishin të ndryshme. Ne kemi ndjekur disa ndeshje të Mariborit nga sezoni i kaluar dhe në shtëpi është një ekip, që luan mjaft mirë.

U përpoqëm të mbyllnim hapësirat mbrapa. Mendoj se ky nuk ishte rezultati i drejtë për atë që ne dhuruam, edhe pse Maribori e meritoi në fund. Ne besuam deri në fund se mund të arrinim një rezultat pozitiv. Shpresat nuk i humbëm përgjatë gjithë 90 minutave. Pas pjesës së pare, gjithçka u vështirësua edhe më shumë, si rezultat edhe i ndeshjes së parë, megjithatë ne u përpoqëm, luftuam deri në fund me shpirt.

Dy rastet e goditjes së tranversës së portës së kundërshtarit ishin tregues që nuk pajtoheshim me rezultatin. Sigurisht, bëmë disa gabime dhe tashmë do të na duhet t’i përmirësojmë, që në të ardhmen të mos i shfaqim më. Jam shumë i surprizuar që i gjithë stadiumi në fund duartrokiti për lojën e Partizanit. Me këtë rast falënderojmë Maribor për mikpritjen dhe suksese në aventurën e tyre të mëtejshme. Ky është mesazhi “fair play”, që futbolli trasmeton.

Tifozët tanë janë të mrekullueshëm, ata e mbështesin kudo skuadrën. Prezenca e tyre na dha forca dhe energji për t’u paraqitur sa më mirë. Ne i dimë problemet tona, e dimë ku mund të shkojë kjo skuadër. Përballë kishim Mariborin, një skuadër aspak e lehtë. Tashmë kemi një muaj kohë për t’u përgatitur për sezonin e ri. Këto dy përballje ishin një test shumë i madh për ne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat