Leci: “Intelektualët” e dëshmuan veten kundër Malmos

Futboll

Leci: “Intelektualët” e dëshmuan veten kundër Malmos

Nga: Kemajl Goca Më: 20 korrik 2018 Në ora: 19:28
Leci: “Intelektualët” e dëshmuan veten kundër Malmos

Të enjten e ardhshme përkatësisht me 26 korrik, kampioni i Kosovës, Drita nga Gjilani do të ballafaqohet me Dudelange nga Luksemburgu, në ndeshjen e parë të rrethit të dytë të kualifikimeve për Europa League. Futbollistët e Dritës përgatiten me intensitet të shtuar që të janë të gatshëm për sfidën e parë në Dudelange, e cila luhet në orën 19.00.

Drita ka pasur katër ndeshje deri me tash në garat evropiane, pra në parakualifikimet për Champions League, pas 120 minutave e kishte mundur me 2:0 (0:0 në kohën e rregullt) Santa Coloma-n nga Andorra, pastaj në finale pas 120 minutave triumfoi me 4:1 (1:1 në kohën e rregullt) ndaj Lincoln nga Gjibraltari dhe u kualifikua në rrethin e parë në Champions, ku u ndesh me Malmon.

Sfida e parë në Mitrovicë përfundoi 3:0 për Malmon dhe ajo e kthimit 2:0 në favor të suedezëve, kështu që Drita eliminohet nga Championsi, por fiton të drejtën të luajë në rrethin e dytë të eliminatorëve në Europa League. Mbrojtësi i Dritës, Liridon Leci, shprehet optimistë para sfidës me Dudelange-n.

“Bota sot”: A keni njohuri për Dudelange-n?

Liridon Leci: Thënë të drejtën, nuk është se kemi njohuri për këtë ekip, mirëpo në ditët në vazhdim do t’i shohim ndeshjet e tyre dhe përparësitë dhe mangësitë e këtij ekipit. Sigurisht që është ekip e mirë për vetë faktin se luan në këtë rang dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht.

“Bota sot”: Ku mendoni se janë përparësitë e Dritës?

Liridon Leci: Ne tashmë kemi krijuar identitet edhe në Europë dhe për këtë duhet falënderuar të gjithë në klub, si trajnerin, drejtorin dhe presidentët tanë që na rrinë mbrapa në çdo aspekt. Ne si Dritë besojmë shumë në forcën e grupit dhe lojën tonë të cilën e kemi. Kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe mendoj kjo është përparësia jonë kryesore.

“Bota sot”: Drita zhvilloi disa ndeshje në Evropë, si me me Santa Coloma-n, pastaj Lincoln-in, por në rrethin e parë të Championsi u eliminua nga skuadra e mirënjohur suedeze, Malmo. A ishte një përvojë për ekipin dhe që i jep forcë për takimin me Dudelange?

Liridon Leci: Normalisht ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë deri me tani. Kemi kaluar një rang në Champions dhe jemi eliminuar nga skuadra më e madhe në Skandinavi siç është Malmo. Normalisht çdo ndeshje ka eksperiencën e vet dhe përvojën e vet. Thash edhe më herët që kemi ekip me eksperiencë dhe normal kemi mësuar shumë nga këto ndeshje.

“Bota sot”: Drita ka përkrahjen e madhe të tifozëve “Intelektualëve”, të cilët ishin rreth 9 mijë veta në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë kundër Malmos, a do të jenë lojtari i 12-të për sfidën me Dudelange?

Liridon Leci: E treguan me Malmon se kush janë “Intelektualët” dhe normalisht që janë lojtari i 12 i ekipit tonë dhe për këtë jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur që i kemi këta tifozë. Mendoj që edhe ndeshjen me Dudelange do të na përkrahin maksimalisht dhe do të mundohemi t’ia kthejmë këtë përkrahje që na bëjnë vazhdimisht me një kualifikim të mëtutjeshëm.

“Bota sot”: A është në favor të Dritës që ndeshja e parë luhet me 26 korrik në Dudelange?

Liridon Leci: Është një përparësi e lehtë, por jo diçka shumë e madhe. Ne do të shkojmë për rezultat sa më të favorshëm në mënyrë që në ndeshjen brenda të jemi më të qetë.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Dritës apo çka i mungon?

Liridon Leci: Për dallim nga sezoni i kaluar ku kemi pas efikasitet të mirë në sulm, sivjet në këtë garë na duhet më shumë efikasitet por që kuptohet që ekipet janë shumë më të forta se ekipet në Kosovë dhe kjo ndikon edhe në shënimin e golave nga ana jonë. Por di që kryesia, trajneri janë duke punuar që të sjellin element të ri dhe shumë kualitativ në ekip.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat