Salah është rikuperuar

Futboll

Salah është rikuperuar

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 12:11
Mohamed Salah

Finalja e humbur e Champions League, dëmtimi në shpatull dhe Botërori disi zhgënjyes me Egjiptin për sulmuesin Mohamed Salah tashmë është lënë pas krahëve.

Një sezon i ri është në prag dhe gjithçka nis nga e para për yllin egjiptian të Liverpool, që ka rikuperuar 100% dhe është gati. Lajmin e shumëpritur e ka dhënë trajneri Jurgen Klopp, që ka shtuar se Salah është i lumtur që do të rikthehet në fushë, për të përsëritur një tjetër sezon magjik si ai i kaluari.

“Salah është rikuperuar 100%, është në formë dhe mbi të gjitha është i lumtur. Ne kemi qenë gjithnjë në kontakt me njëri-tjetrin dhe jam i kënaqur që e kam sërish në dispozicion. Është një person shumë serioz në punën që bën dhe e kupton që kjo është detyra e tij, që karriera e tij është ende e gjatë. Nëse nuk luan dot se je i dëmtuar, nuk luan. Por ai është i lumtur dhe buzëqesh, është rikthyer Salah i dikurshëm, kjo është më e rëndësishme”, u shpreh Jurgen Klopp.

Trajneri gjerman po sheh se si dita-ditës skuadra e tij po kompletohet me lojtarët kryesorë, ndërkohë që Liverpool ndodhet në Amerikë për turneun e International Champions Cup, ku do të luajë ndaj Borussia Dortmund. “Jam i kënaqur që pashë sërish në ekip Salah dhe Mane. Vjet patën një sezon të ngjeshur me ndeshje, por tashmë ata shohin me optimizëm sezonin e ri. Ata e bënë detyrën e tyre edhe gjatë kësaj periudhe, ndaj tani janë gati për skuadrën dhe për ndeshjen e parë, më 12 gusht”, tha Klopp.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat