Guardiola ul euforinë: Ky sezon do të jetë më i vështiri për City

Futboll

Guardiola ul euforinë: Ky sezon do të jetë më i vështiri për City

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 12:16
Trajneri Pep Guardiola

Trajneri Pep Guardiola beson se ky sezon ka për të qenë shumë më i vështirë për skuadrën e Manchester City, pasi dominoi vitin e kaluar në Premier League, duke vendosur edhe shumë rekord. Spanjolli beson se këtë vit konkurrenca do të jetë më e madhe edhe pse sezoni 2018-2019 nisi me një triumf për “qytetarët”, që mundën 2-0 Chelsea në finalen e Community Shield. Këtë vit, skuadra e City ka ruajtur fizionominë e një viti më parë dhe ka kryer disa përforcime, pa shpenzuar shumë, ndaj për Guardiola ky sezon do të jetë më i vështirë.

Duke folur para debutimit në Premier League ndaj Arsenal, trajneri i kampionëve të Anglisë tha: “Unë besoj se jemi ende skuadra më e mirë në Premier, nuk kam asnjë dyshim për këtë gjë, por ne nuk do të luajmë ndaj vetes tonë. Ka shumë skuadra që pretendojnë për titullin, ndaj nuk ka për të qenë aspak e lehtë, përkundrazi, do të jetë e vështirë të rikonfirmohemi kampionë. Unë dhe skuadra ime do të japim maksimumin në fushë, por besoj se rivalët tanë do të bëjnë më shumë krahasuar se një vit më parë”, tha Guardiola, që pret më shumë nga rivalët.

“Ne mund të jemi një shkallë më lart se vjet, por po ashtu edhe rivalët tanë, pasi jo çdo gjë varet nga ne. Vjet ne patëm një rrugëtim të lehtë, pasi diferenca me rivalët ishte e madhe, por këtë sezon gjërat do të jenë ndryshe. Pavarësisht kësaj, ne di dimë limitet tona, dimë se çfarë duam. Të përsëritim rekordet e vjetshme është e vështirë, por kjo gjë na tërheq për të bërë edhe më mirë. Rivalët tanë janë përforcuar ndjeshëm, ndaj duhet të jemi inteligjentë në fushë”, tha Guardiola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat