Chelsea, Sarri ndryshon regjimin për lojtarët. I “dënuar” të vuajë vet

Futboll

Chelsea, Sarri ndryshon regjimin për lojtarët. I “dënuar” të vuajë vet

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 13:46
Maurizio Sarri

Maurizio Sarri ndryshon regjimin te skuadra e Chelseat. Tekniku italian vendosi që t’u japë më shumë liri futbollistëve të tij, ndryshe nga sa bënte bashkëkombasi i tij Antonio Conte, që kishte rregulla më strikte.

Sipas të përditshmes “AS”, masa e parë që ndërmori Sarri te “blutë” e Londrës ishte eliminimi i grumbullimit të skuadrës mbrëmjen përpara ndeshjeve, që do të thotë se futbollistët do të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për të kaluar më shumë kohë me familjarët.

Sarri vendosi të jetë më pak i ashpër edhe për sa i përket regjimit të ushqimit, me futbollistët që janë të lirë të konsumojnë më shumë lloje ushqimesh, krejtësisht e kundërta nga rregulli i Contes, që preferonte një dietë më të fortë.

Këto dy masa janë pritur shumë mirë nga futbollistët, të cilët nuk e pëlqenin aspak menaxhimin e ekipit në mënyrë “diktatoriale”. Në fakt, duket se këto ndryshime i kanë dhënë të drejtë Sarrit, me Chelsean që e nisi sezonin e ri në Premier League me fitoren bindëse 3-0 ndaj Huddersfield.

Gjithsesi, i vetmi rregull që nuk mund të ndryshohet dot nga Sarri, duke qenë se nuk është në dorën e tij ta bëjë diçka të tillë, është një nga normat e përcaktuara nga Federata e Futbollit (FA) për moslejimin e duhanpirjes nga trajnerët në pankina, në momentin e zhvillimit të ndeshjeve.

Ndonëse lumturoi lojtarët, ai vet do të jetë “i dënuar” të vuajë, ashtu siç bëri edhe në debutimin në Premier League, teksa u kap nga fotoreporterët me një filtër duhani në buzë, për të hequr “fiksimin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat