Reali pa Zidane dhe Ronaldon...

Futboll

Reali pa Zidane dhe Ronaldon...

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 19:24
Reali pa Zidane dhe Ronaldon...

Pa Ronaldon dhe Zidane nuk ka festë tek Reali. Humbja në Superkupën e Europës ndaj Atletikos së Madridit sjell në mendjen e të gjithëve pikërisht këtë fjali, pasi portugezi në fushë dhe francezi në stol kanë qënë simboli i sukseseve radhazi në Champions për Los Blancos. 4 golat e pësuar në debutimin e Julen Lopeteguit kanë lënë një shije të keqe, për më tepër që të katër realizimet e Colchonderos kanë ardhur si pasojë e gabimeve në prapavijë për realin. Sigurisht që në këtë kontekst është e vështirë të fajësosh trajnerin e ri, për më tepër që skuadra vjen pas një periudhe jo të mirë me lojtarët që kanë ndjerë lodhjen e Botërorit. Përvec kësaj dhe zërave të vazhdueshëm në merkato për largimin e Modric dhe Marcelos drejt Serisë A, pikëpyetjet e shumta mund kenë shpërqendruar ambientin. Si do të luajë Reali pas largimit të Zidane? Si do të jetë sulmi pa Ronaldon? Dhe si do të jetë ky sezon pa një afrim të bujshëm?

Shumë pikëpyetje që janë shoqëruar me një rezultat të pakëndshëm dhe një lojë jo të mirë. Një skuadër solide në të shkuarën si Reali u duk e shthurur aq sa lideri i mbrojtjes Sergio Ramos lejoi shokun e skuadrës në kombëtare Diego Costën të realizojë pas vetëm 49 sekondash lojë. Por gabimi i kapitenit nuk është i vetmi, pasi portieri Keylor Navas lejoi topin të kalojë pikërisht në shtyllën e tij, me kosta-rikanin që duket se po vuan afrimin me shumë bujë të belgut Thibaut Courtois. Por gabime ka bërë e tërë skuadra duke vijuar me Varane, Dani Carvajal e Marcelo. Përpara ndeshjes pikërpyetjet ishin se kush do të ishte lideri në sulm, njeriu që do të mbulonte boshllëkun e Cristiano Ronaldos. Por Marco Asensio ka bërë gjithçka mirë ndërkohë që Bale dhe Benzema treguan kombinime perfekte ashtu si në rastin e golit të barazimit. Ndoshta 4 golat e pësuar tregojnë që mbështejta e sulmit për mbrojtjen ka munguar me realin që shpëtoi paq pa pësuar të tjerë gola. Detyra e Lopeteguit është e thjeshtë, të përqendrohet tek ecuria në kampionat duke harruar historinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat